Site icon Telegrafi

Pranimi teknik i banesave ngec në Komunën e Prishtinës

Pavarësisht se procesi i ndërtimit të objekteve të larta banesore nuk e ka ndalur ritmin, një proces tjetër që lidhet me çështjen e ndërtimit të objekteve ka ngecur në Komunën e Prishtinës, e cila udhëhiqet nga Shpend Ahmeti.

Procesi i lejeve të përdorimit dhe i pranimit teknik është duke vazhduar me “hapa” të breshkës. Mos përfundimi i këtij procesi në vazhdimësi është thënë se dëmton ndërtuesit, e po ashtu edhe blerësit e banesave.

Zyrtarët e Komunës së Prishtinës, kanë treguar se gjatë vitit të kaluar kanë lëshuar mbi 180 leje ndërtimore, ndërsa ka lëshuar 10 leje përdorimi.

“Komuna e Prishtinës, përkatësisht Drejtoria e Urbanizmit gjatë vitit 2017, ka lëshuar gjithsejtë 183 leje ndërtimore. Buxheti i inkasuar, gjegjësisht të hyrat e realizuara nga lejet ndërtimore, të lëshuara gjatë vitit 2017, janë 10,001,578.12 euro”, ka thënë zyrtari për Komunikim në Komunën e Prishtinës, Adonis Tahiri.

Sipas tij, gjatë viteve 2017-2018, Komuna e Prishtinës ka pranuar 46 kërkesa për leje përdorimi dhe për pranim teknik.

“Gjatë vitit 2017 dhe 2018 janë pranuar gjithsejtë 46 kërkesa për leje përdorimi dhe për pranim teknik, prej tyre janë lëshuar 10 leje përdorimi, 4 vendime për emërim të komisionit, 7 kërkesa janë refuzuar, 11 kërkesa janë përcjellë në Drejtorinë e Inspeksionit, në kompetencë, dhe të tjerat janë në procedurë”, ka thënë Adonis Tahiri, zyrtar për Informim në Komunën e Prishtinës.

Sipas tij, Komuna e Prishtinës gjatë vitit 2017 ka legalizuar 10 ndërtime pa leje.

Ndërkaq, kryetari i Shoqatës së Ndërtuesve të Kosovës, Brahim Selimaj ka thënë për Telegrafin se si shoqatë nuk janë të kënaqur me lëshimin e lejeve të ndërtimit e as me pranimin teknike të objekteve banesore të ndërtuara.

Ai ka treguar se pas takimeve me nënkryetarin e Prishtinës, Selim Pacolli, kanë marr premtime se do të përshpejtohen procedurat për dhënien e lejeve nga kjo komunë.

“Sa i përket pranimeve teknike-lejeve të përdorimit nuk respektohet jo vetëm në Komunën e Prishtinës, por në as një komunë, edhe pse ligji i ri decidivisht tregon se është vetëm një formalitet në fund por Kuvendet Komunale nuk kanë kuadër adekuat për përcjelljen e punimeve edhe pse me marrjen e lejeve paguhet mbikëqyrja. Ligji e lejon se në rast se Kuvendi Komunal nuk ka kuadër mundet investitori të bëjë organin mbikëqyrës përkundër kësaj komunat nuk respektojnë ligjin”, tha Selimaj.

Adonis Tahiri, zyrtar për informim në Komunën e Prishtinës, ka treguar për mënyrën se si shkon procesi i pranimit teknik dhe pajisjes me leje të përdorimit për një objekt.

“Procesi i pranimit teknik dhe pajisjes me leje të përdorimit për ndërtesat e ndërtuara sipas lejeve ndërtimore, të lëshuara bazuar në Ligjin Nr. 2004/15 për Ndërtim, ceket se investitori obligohet që 7 (shtatë) ditë pas përfundimit të ndërtimit të ndërtesës duhet të bëjë kërkesë pranë organit kompetent, për caktim të komisionit për pranim teknik të punimeve, gjë e cila, në shumicën e rasteve, nuk ndodh, pra një kërkesë e tillë bëhet me vonesë (pas funksionalizimit të ndërtesës-hyrjes së banorëve në ndërtesë). Ndërsa, bazuar në Ligjin Nr. 04/L-110 për Ndërtim, procesi i pranimit teknik dhe pajisjes me leje të përdorimit, kalon në dy faza, fazën e inspektimit gjatë ndërtimit të ndërtesës, me nënshkrimet e protokolleve, si dhe inspektimit final të ndërtesës nga Drejtoria e Inspeksionit-Sektori i Ndërtimit, dhe faza e dytë, pas përmbushjes së kushteve të fazës së parë, investitori aplikon në drejtorinë përkatëse për lëshimin e lejes ndërtimore, për pajisje me certifikatë të përdorimit”, ka sqaruar Tahiri.

Ndryshe, zyrtarët e Komunës së Prishtinës shpesh kanë thënë se në Prishtinë janë 46 mijë ndërtime pa leje, të cilat i pret legalizimi apo rrënimi i tyre. /Telegrafi/

Exit mobile version