Komisioni parlamentar për arsim, shkencë, teknologji, kulturë, rini dhe sport, në mbledhjen e mbajtur të mërkurën, ka konstatuar se Projektligji për sponsorisime e donacione në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit nuk është i përshtatshëm për rrethanat e reja, të cilat janë krijuar në sport.
Kryetari i këtij komisioni, Nait Hasani, mendon se klubeve sportive u duhet më shumë mbështetje financiare, andaj Projektligji duhet ndryshuar, shkruan sot Koha Ditore.
Pranimi i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) në UEFA, ka bërë që të kthehet prapa dhe të kërkohet ndryshimi i Projektligjit për sponsorisime e donacione në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit.
Komisioni parlamentar për arsim, shkencë, teknologji, kulturë, rini dhe sport, në mbledhjen e mbajtur të mërkurën, ka konstatuar se projektligji nuk është i përshtatshëm për rrethanat e reja, të cilat janë krijuar në sport. Kështu është shprehur kryetari i këtij komisioni, Nait Hasani.
Sipas Hasanit, ky Projektligj duhet të ndryshojë në mënyrë që të jetë më i favorshëm për klubet, të cilat prej edicionit të ardhshëm pritet të marrin pjesë në garat evropiane. Hasani ka insistuar se nevojitet një përkrahje më e madhe dhe për këtë arsye ka kërkuar që të ketë një takim me ministrin Kujtim Shala, i cili është në krye të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
“Ky Projektligj nuk është i mjaftueshëm për rrethanat e reja në sport. Me këtë Projektligj Kosova nuk mund të jetë e përfaqësuar denjësisht në UEFA. Ne do të kërkojmë që javën e ardhshme të kemi takim me ministrin”, ka thënë Hasani në mbledhjen për diskutimin e këtij Projektligji.