Telegrafi

Pranimi i Kosovës në FMN shumë i rëndësishëm, vlerësojnë ekspertët

Ekspertët e ekonomisë vlerësojnë se pranimi i Kosovës në FMN është shumë i rëndësishëm si në aspektin politik, po ashtu edhe atë ekonomik. Drejtori i Institutit për studime të Avancuara-GAP, Shprend Ahmeti, konsideron anëtarësimi i Kosovës në këtë institucion ndërkombëtar është edhe njohje e shtetësisë së Kosovës nga një institucion i rëndësishëm ndërkombëtar.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Besim Beqaj vlerëson se anëtarësimi i Kosovës në këtë institucion, është konfirmim i bashkësisë ndërkombëtare për mbështetjen e zhvillimit të Kosovës.

Profesori i financave ndërkombëtare, Safet Merovci, konsideron se pas anëtarësimit, tani Kosova mbikëqyret drejtpërdrejt nga FMN-ja. Njëkohësisht kjo dëshmon se Kosova ka peshë ekonomike dhe politike ne botë, thekson ai.

Ndërkaq, drejtoresha e Odës Ekonomike Amerikane, Mimoza Kusari Lila, shprehet se pas anëtarësimit, Kosova do të ketë qasje në 184 shtete sa janë anëtare të FMN-së.

Ndryshe, nga 185 vende anëtare, afro 100 sosh kanë votuar për pranimin e Kosovës në FMN. Rezultati e votimit do t’i paraqitet sot Bordit të Drejtorëve Ekzekutiv, ndërsa zyrtarisht do të bëhet i ditur të premten. Ndërkaq deri më 3 qershor duhet të përfundojë edhe procesi i votimit për anëtarësim të Kosovës në Bankën Botërore. /rtk/