1.
“Zoti krijoi luftën që amerikanët të mësonin gjeografinë”, pat thënë njëherë i shquari M. Twain, mendim shpotitës që do t’më kujtohej, ashtu vetishëm, ndërsa bëja një shkrim mbi betejat e Amerikës për Evropën e lirë në qindvjetin e fundit, këndvështruar nga Siujdhesa sfidante e Krimesë. Ndonëse Hyu ndërmjetësoi mënyrën, më i pushtetshmi burrë i Rruzullimit, me gjasë, nuk del ta ketë mësuar atë mirë.
Natyrisht, s’i bëjmë apologji aventurës beliciste vetëm për protagonizëm historik, por sërish, sikur nuk shqitet shtysa kryeneçe e një pyetjeje: Përse? Në kërkim të shpjegimit nuk e di pse do t’më fanitej një koincidencë rastësore, një analogji segmentarisht e pazakontë, mes dy personalitetesh, po ashtu të pazakontë: Adem Demaçit, shqiptar i kulluar, dhe Barak Obamës amerikan i natyralizuar.
Krahasimi, ndërkaq, nuk i referohet formatit, jetëshkrimit a prejardhjes së tyre. Është tjetër gjë që, ani se në realitete të pangjashme, shenjëzon paralelen interesante: diadema e lavdisë!
Çmimet rëndom jepen aposteriori për kulmet e arrira të laureatit në art, shkencë a politikë, dhe kurrsesi për paragjykime pritmërish, me shpresën e rezervuar se të përzgjedhurit do ti justifikojnë ato, duke kryer veprën sipërane dobiprurëse për njerëzinë e munduar.
2.
Dhe, pra, ndërkohë që Demaçi gëzonte kryehershëm lavdinë, Obama, nga ana e tij, do t’rrekej ta shijonte pjalmin e ardhshëm të saj. Po, njëkohësisht, ata do t’kenë të njëjtën amzë hapërimi: i pari duhej ta shfytyronte portretin e idhullit glamuroz, për ta konfirmuar revidueshëm në trajtë e vlerë tjetër, kurse ky i munxosuri i dytë duhej ta pasmeritonte famlartin atribut, duke zbaltur hullinë e pararendësve të tij zulmmëdhenj.
Ndaj, për t’ua lehtësuar mundin, do të pajiseshin me ftohmën e gatitur nga mjeshtër të hollë të zejes dinake: njëri në mes të udhës së largët, e tjetri teksa hidhte çapin e parë në formatin e fuqisë eprore të “amerëve”, pa vrujimin e së cilës, jeta në këtë Planet do t’ishte më e padrejtë dhe e trishtuar!
Më tej, nëse Demaçi do t’stolisej me shndrizën verbuese për një kauzë të milituar gjatë, dhimbshëm gjatë. Obama do të parzmohej njëj vezullimi lëbyrës, paraprakisht, ante rem, me të shkelur pragun legjendar të Shtëpisë së Bardhë. Mirëpo, megjithë ndryshimin, komparacioni s’e humb aspak saktësinë. Shtigjet e të dyve, njërit e tjetrit, do të takoheshin prore ndër kumte njëjtësore në milje e kohë të ndryshme. Udhëzimet nuk ishin të shkrojtura, por, si mësimet rendeve të fshehtë ezoterikë, merreshin sugjestivisht e me besë të pa dhënë. E, ato sikur parathoshin pa fjalë, se teksa njëri duhej të mekej në arenën e jashtme, tjetri, për fatin e pamirë të atyre që e kishin glorifikuar ndër vite, do të gozhdohej – edhe brenda edhe jashtë!
Njandej, Obama do të nobelizohej, jo për të bërë veçse për të kundërtën, për tu plogështuar keq: për tu tërhequr, gati, nga të gjithë imenjimet ku Amerika e tij mbronte veten apo principe e liri të nëpërkëmbura në skuta të errëta të botës. Ridefinimi i përparësive strategjike nuk është çelësi i duhur i bindshmërisë. Pretendimin e dëshmon, fjala vjen, dhe njëlloj shkrehjeje e ndjeshme për Kosovën, të lënë nën këmbë evropianësh që, duke lëmuar Belgradin, synojnë tejndërtimin e organizmit komunitar heterogjen, në dëm të substancës sovranësore të saj. Pastaj, a nuk e provojnë këtë, po aq, tërheqja e shurdhër nga instalimi i “Ombrellës” raketore në Lindjen e vjetër, recidivi kubanez, Palestina e braktisur a irlandezët e harruar? Si për të parashestuar afrinë, Asambleja e Evropës do t’a naltçmonte më herët Demaçin me njohjen Saharov, po ashtu, jo për kazamatet serbiane (sepse asnjëherë gjatë moteve të dergjës së tij nuk e çeli njëherë të vetme gojën), pra jo për atë që kishte bërë, por për atë që pritej, ngashnjehej e duhej të mos bënte. Lufta është nxënje e lirisë, pohonte Niçe tek i shpallte gjëmën altruizmit njerëzor, porse çmimi e cythte heshtur që, në rastisi t’vepronte, aherë ta vijonte shtruar, paqësisht dhe, madje, vllezërisht me pushtues, rrugëtimin e lirisë së nacionit të tij t’sfilitur.
Dhe zotërinjët kjenë qetësuar: i kishin vënë medaljonin e gravuar që i hapte enkas (si Obamës së tevonshëm) dosjenë shifrore me sqarimin specialistik: i trajtuar, i parrezikshëm! Pasandej, kur vrulli i ngjarjeve që rimën tokën n’gjak, do ta linte anësh, ai do t’ngutej për tu bërë pjesë e tyre, veçse trivialisht dhe rrëmueshëm. Ende ruhet si një përhitje pikëlluese njoftimi uratar dhënë medias franceze, se si milicia serbiane i pat trokitur në portë, por me dy-tre fjalë ishte marrë vesh (sa e kulturuar paskësh qenë kjo falangë!) dhe ajo kishte vajtur në punë të vet!
Obama, tutje, për ta denjësuar shpërblesën e Oslos (veç recesionit ekonomik që, mbase, mund të jetë dhe fatalitet konjukturash globale), do të përshfaqte proliksitet, indolencë dhe mangësi imagjinate a vendosmërie prijëse në vend e jashtë tij. E kjo, gjithnjë me urdhrin e padiktuar çmimor, do të ndikonte ringjitjen përballëse të “armikut numër një” (si e quante Romny Rusinë e Putinit të hallakatur), për riskicimin e sferave interesore në shkrepje nyjëtimesh ndërkombëtare. Mandej, posi Obama i dyzuar, Demaçi duhej të mos lëvizte, aq më pak fortësisht, po të prehej e tretej në midisnajën e hiçit. A nuk pat rezultuar, njëmend, kështu? Përfillte athua zotnisht e me ritual kalorsiak, emblemat e një konstelacioni politik të posangjizur në fillim të 90-tave, apo abstinenca vinte nga inspirimi nguctar i Strasburgut finok, gjysma e dytë e emrit të të cilit, për simbolikë, ishte burg, një pasqyrim i trishtuar i gjëndjes apokaliptike që jetonte populli tij rreth 100 vjet?!
Sido që ta shohësh, njandej mpikset ky përfundim dyshimtar: do të deklamonte ai, po në këtë frymë, ose Ballkaninë, si sajesë reintegruese me sllavë, të porositur pa letër e traktat nga rrezja saharovjane ose, e shumta, një rezistencë të kadifenjtë që, si e shpjegonte vetë, do ti ngjante brumit të bukës! E pra, as luftë kryengritëse e as memecëri nënshtrimtare: një asnjanësi amorfe, kronike dhe e pashpresë!..
Pastaj, brenda kësaj logjike, udhëheqësi i fuqisë planetare, Obama përherë i sprapsur, do të hidhte në Kuvendimin fillimtar të Kajros tezën kthestare, se Amerika nuk do të eksportojë më “revolucione demokratike” për të zbardhur “gropat e zeza” të rrokullisë. Për çudi, i zënë nga shndriza e dafinës, edhe Demaçi kishte eksponuar po këtë filozofi, që tani adoptonte pasvajtshëm dytësi i tij i madh. Në mbarim të kapitullit të përgjakshëm të Luftës, si një pasthënie e saj, do të pohonte zhgënjyeshëm për shtypin boshnjak se ne (d.m.th. banorët e “gropës së zezë ballkanase” që atij i vegonte hijadhë si qelqëtore lulesh), do të kishim gjetur vetë, pa përzierjen brutale të armëve liriprurëse atllantike, formulën e koekzistencës së rinuar. Me serbë e sllavë të tjerë të jugut, natyrisht!
Së mbylluri, për korrektesë të peshores, nuk shmanget dot vlerësimi idhnak se, mes të dyve, si një lavjerrës moral, lëkundet një ngushëllim i pahir: duke i shkuar Obamës, ai sikur diferencon thellë duarlidhjen e tyre. Atdheu i tij, kur ai mori primjen, ishte i lirë dhe, gjithnjë sot, mban epitetin krenar të tokës së premtuar. Ndërsa Demaçin, kur ai do shkëputej nga terri burgëtar, e priste Kosova, një vënd i vogël e i robnuar egërsisht, diku në Juglindjen e harruar dhe zymtore të Europës.
Ja, kështu, krejt origjinalisht e pa seanca të rëndomta depersonalizimi, do ti përpunonte kurora dehëse e Çmimeve largndikuese të madhështisë: Barakun, shtetar cakhuqur e aksidentar dhe Ademin tonë, tribun difuz e pendestar!
3.
Kam dëgjuar e parë shumë burra të nderuar që janë satisfaksuar për veprën, sakrificën apo flijimin e bërë, me çmime prestigjioze, por dhe ato, në një mënyrë, janë fisnikëruar vetë me emrin a krijimin elitar të tyre. Mirëpo për protagonistët e kësaj skice, me gjasë, do të ketë ndodhur e ndryshmja: Saharovi e Nobeli, këta korifenj të pafaj të shpirtit të lirë, do të bëheshin, në fakt, pranga, prangat e rënda të tyre.