Site icon Telegrafi

Me pranga në duar dhe masa të rrepta sigurie, Moisi Habilaj del në gjyq

Me pranga në duar dhe nën masa të rrepta sigurie Moisi Habilaj, i dyshuari si kreu i grupit të trafikut të drogës në Itali, është paraqitur mëngjesin e sotëm përpara tre gjyqtarëve Iarato, Benanti dhe Catena.

Gjykata e Rivlerësimit e Katanias mori në shqyrtim ankimimet e bëra nga 6 prej 7 të arrestuarve të të ashtuquajturit “Grupi Habilaj”, mbi të cilët rëndon akuza e trafikut ndërkombëtar të drogës. Ata u arrestuan në aksionin e quajtur “Venti Dei Rosi”.

I vetmi nga të arrestuarit që nuk ka kërkuar rishikimin e arrestimit ishte italiani Antonino Riela, i cili sipas dosjes së hetimit rezulton të jetë një nga kontaktet më të besuara në Catania të Moisi Habilajt.

Sipas mediave italiane, Moisi Habilaj është paraqitur i fundit përpara gjyqtarëve, ndërsa avokati i tij Biagio Maurizio Catalano, thotë se ai i ka mohuar akuzat, duke kërkuar lirimin.

“Prokuroria kërkoi që të konfirmohet urdhri për mbajtjen e tyre në burg. Ndërsa ne kërkuam anulimin për mungesë provash. Kjo është pikënisja ndaj s’mund të themi saktësisht se si do të shkojnë gjërat. Vetë urdhri i ndalimit, për të cilin besoj se jeni në dijeni sepse është publikuar, mendoj se është maja e ajsbergut, përmbledhje e një fashikulli të tërë dosjesh voluminoze hetimesh, të cilën unë vetë nuk kam patur kohë të konsultohem. Por në këtë fazë, faza e parë së paku këtu në Itali, është ajo për t’ju drejtuar Gjykatës së Lirisë, për të pasur në qoftë se së paku një prej pozicioneve, nga ky moment, mund të lëshohet dhe t’i rikthehet liria së paku ndonjërit”, u shpreh avokati i Moisi Habilajt.

Avokati Biagio Maurizio Catalano thotë se në aktet e gjykimit të çështjes nuk ka parë asgjë për lidhjet e Habilajve me ish-ministrin Saimir Tahiri.

“Për këtë figurë, për ish-ministrin më kanë folur të tjerët por jo aktet. Mua nga aktet nuk më rezulton as edhe një presje. Ndaj objektivisht duhet të flas për një gjë që e kam dëgjuar nga jashtë procesit dhe jo brenda procesit. Mua s’më ka ndodhur ta takoj asgjëkund, nuk ekziston të paktën nga aktet që kam konsultuar unë. Por më duhet ta rithem, bëhet fjalë për një pjesë shumë të vogël të përmbledhjes, më pas në pjesën tjetër nuk e di se çfarë mund të ketë. Deri në këtë pikë, mua s’më rezulton asgjë për ndonjë autoritet politik apo ndonjë tjetër”, tha avokati Cataldo.

Mësohet se Gjykata e Katanias duhet të shprehet lidhur me fatin e të arrestuarve brenda 48 orëve.

Exit mobile version