Realizoi 7 grabitje në harkun kohor të 4 ditëve, por ka përfunduar me kaq aventura e 41-vjeçarit Aleks Prifti.
Nën kërcënimin e një pistolete me silenciator, ai grabiste xhirot ditore të pikave të karburantit, të cilat i sulmonte në orët e para të mëngjesit.
Prifti rezulton person me precedentë penalë në fushën e vjedhjeve, plagosjes dhe gjobëvënies.
Po ashtu, ai ka patur probleme me ligjin edhe në Itali, Greqi dhe Belgjikë. 41-vjeçari nga Ura Vajgurore, por me banim në Tiranë, levizte me një automjet “Honda” të marrë me qera dhe për të mos lënë gjurmë targat e mjetit gjatë grabitjeve i mbulonte me natriban, ndërkohë që edhe vetë vinte një kapele.
Perveç karburanteve, 41-vjeçari ka tentuar të vjedhë edhe një dyqan argjendarie më 2 gusht në qytetin e Lushnjes. Aleks Prifti, një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, lëvizte i lirë ndonëse ishte shpallur në kërkim që në qershor për gjobëvënie, ndërsa vëllai i tij kishte rënë në pranga.
Për kapjen e 41-vjeçarit u angazhuan drejtoritë e policive të Durrësit, Fierit, Beratit dhe Elbasanit, si dhe Krimet e Rënda në Drejtorinë e Përgjithshme.