Telegrafi

Pranë muralit të Ratko Mlladiqit në Beograd, shfaqet edhe ai i Drazha Mihajlloviqit

Në qendër të Beogradit, ku gjendet murali i të dënuarit të Hagës Ratko Mlladiq, sot në mëngjes është shfaqur një tjetër – kësaj radhe kushtuar një krimineli lufte nga Lufta e Dytë Botërore, Drazha Mihailoviq.

Sipas Klix.ba, përcjell Telegrafi, në muralin e Drazha Mihailoviqit, krahas personazhit të tij gjenden edhe vargjet e këngës së njohur çetnike “Nga Topola në Ravna Gora”.

Kujtojmë se aktivistët Aida Coroviq dhe Jelena Jacimoviq u arrestuan pasi hodhën vezë në muralin e Ratko Mlladiqit, derisa një ditë më vonë një anëtar i Partisë Social Demokratike (SDP), Gjorgje Zujoviq, hodhi bojë të bardhë në mural.

Gjithashtu raportohet se gjatë ditës së djeshme u vizatua në një ndërtesë tjetër përballë figura e udhëheqësit ushtarak serb të Luftës së Parë Botërore Zhivojin Mishiq.

Ditë më parë, Zyra e Komisionerit të Lartë në kuadër të Kombeve të Bashkuar për të Drejtat e Njeriut ka reaguar lidhur me ngjarjen e fundit në Beograd për muralin e të dënuarit për krime lufte, Ratko Mlladiq, duke thënë se ato simbole nuk duhet të kenë vend në hapësirën publike. /Telegrafi/