Telegrafi

Praktikuesi i yogës në Indi i cili pretendoi që jetonte pa ushqim ose ujë, vdes në moshën 90 vjeçare

Një “meditues” indian që pretendohet se kaloi dekada pa ushqim ose ujë, vdiq të martën, ndërsa lajmin e konfirmoi fqinji i tij për AFP.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Prahlad Jani me flokë të gjatë dhe me mjekër – i cili vishej me të kuqe – “i dha lamtumirën” fshatit të tij Charada, ku kaloi jetën e tij duke e praktikuar yogën.

Jani ishte 90 vjeç, bazuar në pretendimet se ai kishte lindur në gusht të vitit 1929.

“Ai vdiq të martën në mëngjes, në rezidencën e tij për shkak të pleqërisë”, tha për AFP, Sheetal Chaudhary fqinji i tij.

Raportohet se trupi i tij u dërgua në Ambaji, një qytet i njohur për tempujt e tij, ndërsa ai kishte ndërtuar një “ashram” të vogël i njohur si “Mataji” (perëndeshë).

“Trupi do të mbahet atje për dy ditët e ardhshme që njerëzit të shprehin ngushëllimet e tyre”, shprehet Chaudhary. /Telegrafi/