Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë – PRAK , dënon shkeljen e privatësisë së pacientëve nga funksionarët shtetëror dhe Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës.
Në komunikatën e PRAK thuhet se përdorimi i pacientëve për çfarëdo qëllimi, aq më pak për qëllime elektorale, është i papranueshëm dhe në kundërshtim me Ligjin për të Dhënat Personale, Ligjin për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Qytetarëve në Kujdesin Shëndetësor, Kartën e të Drejtave të Pacientëve, Kodin e Etikës Mjekësore, moralin shoqëror etj.
“Ftojmë Agjencionin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Koordinatorët për Mbrojtjen e të Dhënave Personale të Institucioneve Shëndetësore dhe Odat e Profesionistëve Shëndetësor që të ndalojnë çfarëdo lloj informate për pacientët të bie në duar të personave të pa autorizuar“, thuhet në komunikatë, përcjell Telegrafi.
“Nëse ka interes të tregohet puna e bërë në shëndetësi, duhet të përdoren raportet dhe statistikat krahasuese, jo pacientët!”.
PRAK thotë se “gjatë këtij mandati të kësaj qeverie nuk është bërë Sistemi i Informimit Shëndetësor, as Sigurimet Shëndetësore, nuk është miratuar asnjë Ligj, janë miratuar vetëm 4 Udhëzime Administrative , nuk është përmbushur as për së afërmi Lista e Barnave Esenciale, Fondi për Trajtim Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike ka hyrë në borxh për shkak të kërkesave enorme për trajtim jashtë këtyre institucioneve, nuk është ndarë Sistemi Shëndetësor Sekondar nga ai Terciar etj”,, përfundon komunikata. /Telegrafi/