Site icon Telegrafi

PRAK: Për shkak të fokusit te pandemia, shumë pacientëve me sëmundje tjera iu është përkeqësuar gjendja për shkak të mos ofrimit të shërbimeve

Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë i është drejtuar me një letër ministrit në detyrë, Arben Vitia, drejtorit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani dhe drejtorit të SHSKUK-së, Basri Sejdiu se për shkak të fokusit tek pandemia COVID-19 shumë pacientëve me sëmundje të tjera  për shkak të mosofrimit të kujdesit të duhur shëndetësor gjendja e tyre shëndetësore është përkeqësuar.

PRAK vlerëson lart punën në menaxhimin e Pandemisë COVID-19 deri më tani, por sipas shoqatës nëse kjo pandemi zgjatë dhe nuk rifillohet ofrimi i shërbimeve shëndetësore, shëndeti i shumë qytetarëve që presin këto shërbime do të jetë i rënduar edhe më shumë.

PRAK vlerëson se Institucionet e lartcekura, me theks të veçantë Ministria e Shëndetësisë duhet të hartojnë një plan të “bashkëjetesës” me virusin COVID-19.

“…Natyrisht, për shkak se Kosova nuk ka një Sistem të Integruar të Informimit Shëndetësor, nuk mund të ofrohet ndonjë shifër e saktë e dëmeve që i janë shkaktuar pacientëve të sëmurë me sëmundje të tjera jo të lidhura me COVID-19, por, këtë më së miri po e ndjejnë ata që po kalojnë nëpër këtë sfidë”, thuhet në letër.

“Ndoshta do të jemi në një pozicion të vlerësojmë se nga kush po dëmtohet më shumë shëndeti publik, nga pandemia apo mosofrimi i shërbimeve të tjera shëndetësore. Këta pacientë për dallim prej palëve të tjera nuk kërkojnë asgjë më shumë, veç realizimit të të drejtës së tyre për shëndet dhe jetë dhe kjo është një përgjegjësi e institucioneve”, thuhet më tej.

PRAK konsideron që është prioritet themelimi i “Shërbimit profesional për sëmundje infektive” duke e pasur në fokus COVID-19.

“Ky Shërbim profesional, me urgjencë ta hartojë planin organizativ dhe operativ, ashtu siç kërkon korniza ligjore. Ky Shërbim do të udhëhiqet nga Klinika Infektive, si nivel terciar dhe do t`i ketë të përfshira institucionet e të gjitha niveleve të kujdesit shëndetësor. Një organizim i këtillë i koordinuar në dimensionin vertikal (edhe horizontal) do të mundësonte që institucionet shëndetësore të kujdesit primar ta kenë përkrahjen nga kujdesi sekondar dhe terciar, dhe si të tilla të jenë më të përgatitura për t`u përballuar me sfidën COVID-19. Rrjedhimisht, si rezultat do të kemi: pacientit do t`i kthehet shëndeti më shpejt, me një kosto më të lirë dhe se ai do t`i kthehet punës në rimëkëmbjen e ekonomisë… Presim nga  Ministria e Shëndetësisë dhe të gjithë akterët tjerë politikbërës që ta vlerësojnë këtë iniciativë dhe në fazën e dytë të lehtësimit të masave të kemi hapa konkret në këtë drejtim”, thuhet ndër të tjera në letër. /Telegrafi/

Exit mobile version