As pas dymbëdhjetë orë diskutimesh në tryezën e organizuar për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, pozita dhe opozita nuk i kanë përafruar qëndrimet. Ndërsa, ambasadori amerikan, Greg Delawie, i ka akuzuar palët se po e dëmtojnë të ardhmen e Kosovës.
Janë dashur rreth dymbëdhjetë orë debat për Marrëveshjen për Demarkacionin e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi, ku janë prezantuar argumente dhe kundër argumente nga të dyja palët, ajo mbështetëse e kësaj Marrëveshjeje dhe pala kundërshtuese.
Përfaqësuesit e Komisionit Shtetëror për shënimin e vijës kufitare kanë thënë se janë të bindur se Kosova nuk humb territor në demarkacionin me Malin e Zi.
Por, në anën tjetër grupi i ekspertëve ka prezantuar fakte, sipas të cilave, Kosova humb mbi tetë mijë hektarë tokë private e publike.
Kundërshtime kanë pasur edhe përfaqësuesit e fshatrave të asaj ane, duke kërkuar shkarkimin e Komisionit Shtetëror, pasi i ka falur tokë Malit të Zi. Mesazhe të qarta dha edhe ambasadori amerikan, Greg Delawie, i cili ishte jo pak i ashpër, duke thënë se po kundërshtojnë Marrëveshjen në mënyrë cinike dhe po e dëmtojnë të ardhmen evropiane të Kosovës. /Zëri/