Partitë politike në Kosovë po përkrahin thirrjen e ministressë Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla në Këshillin e Sigurimit, që të përfundojë mandati i UNMIKU-t në Kosovë.
Kërkesës së Gërvallës dje në Këshillin e Sigurimit iu bashkua edhe përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara dhe ai i Shqipërisë. Lidhur me këtë kërkesë, partitë politike në vend, pozitë dhe opozitë, thonë se përfundimi i mandatit të këtij misioni dhe shfuqizimi i rezolutës 1244, do të ishte gjëja më e mirë që do të mund të ndodhte për Kosovës, ndonëse konsiderojnë se me pavarësinë e Kosovës, mandati i këtij misioni ka skaduar.
Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila tha se tashmë misioni i UNMIK-ut, ka skaduar dhe nuk ka efekt përmbajtjesor në terren.
Kusari-Lila thekson se Kosova është dëshmuar si demokraci funksionale.
“Tashmë është e tejskaduar mandati i UNMIK-ut dhe rezolutës 1244. Kosova është vend i pavarur dhe sovran dhe natyrisht kuptohet se në Këshillin e Sigurimit janë dy shtete të cilat janë ende anëtare ose të cilat ushtronin veton Rusi dhe Kina dhe do e kundërshtonin një propozim të tillë, megjithatë në përmbajtje, në terren në Kosovë nuk e ka asnjë kuptim më funksionimi i UNMIK-ut, gjegjësisht misionit të formuar sipas rezolutës 1244. Ajo çka nënkuptohet janë agjencionet tjera të Kombeve të Bashkuara që mbulojnë fusha të ndryshme, njëjtë sikur në vendet tjera të botës që bashkëpunon qeveria në nivelin lokal dhe qendror të vendit, por në formatin dhe në mandatin në të cilin është formuar tashmë është vetëm e skaduar dhe pa ndonjë efekt përmbajtjesor në terren apo në Republikën e Kosovës me të gjitha institucionet dhe proceset me të cilat Kosova është dëshmuar si demokraci funksionale”, u shpreh Kusari-Lila.
E për shefin e grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri shfuqizimi i rezolutës 1244 dhe përfundimi i mandatit të UNMIK-ut, është gjëja më e mirë që mund t’i ndodhë Kosovës.
Ai shpreson që në një të ardhme të afërt do të ketë konsensus që Kosova të bëhet anëtare e OKB-së.
“Ajo është gjëja më e mirë nëse do t’i ndodhte Republikës së Kosovës që Republika e Kosovës të jetë edhe anëtare e Kombeve të Bashkuara dhe të mos jemi pengë i asaj rezolute sepse në republikën tonë është krijuar një realitet i ri nga 17 shkurti i vitit 2008 dhe ajo rezolutë nuk ka kurrfarë kuptimi dhe sepse në terren nuk zbatohet. Jemi shtet sovran, jemi shtet i pavarur i njohur në mbi 100 shtete dhe i anëtarësuar nëpër shumë organizata ndërkombëtare si në Fond Monetar, Bankë Botërore …në Republikën tonë është krijuar një realitet i ri i cili duhet të njihet edhe nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, kjo është një kërkesë e jona e kahershme që e kemi kërkuar në vazhdimësi dhe shpresojmë që do të ketë në një të ardhme jo shumë të largët një konsensus në Këshillin e Sigurimit që si vend të njihemi dhe të jemi pjesë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara”, theksoi Tahiri.
Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri lidhur me këtë çështje thotë se me deklarimin e pavarësisë, UNMIK-u për Kosovën është inekzistent.
Ai thotë se popullit të Kosovës duhet t’i thuhet se ky mision nuk ka rol administrativ në Kosovë.
“Me deklarimin e pavarësisë UNMIK-u për Kosovën është inekzistent, rezolutën 1244 nuk mund ta ndryshojmë prej Prishtinës, ajo ndryshohet në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara me rezolutën 1244 janë edhe trupat e KFOR-it këtu. Ajo që duhet t’i thuhet popullit është se UNMIK nuk ka asnjë rol administrativ në Kosovë. Ne si grup parlamentar nuk e kemi takuar dhe roli i tyre është minimal por është rregulli 1244 dhe mbi atë rregull ka raportuar edhe ministrja e Punëve të Jashtme”, theksoi ai.kp/Telegrafi/