Site icon Telegrafi

PowerPoint: Si të prezantosh diçka kur nuk ke asgjë për të thënë

Jam ulur në rreshtin e parë të një auditori. Në murin përballë meje lodrojnë një seri imazhesh, tekstesh të gjata, diagramesh, tabelash, grafikësh e shigjetash. Shfaqen e zhduken me shpejtësi njëra pas tjetrës dhe para tyre, me zell dhe energji të admirueshme, një folës/e me shkop elegant në dorë mundohet të impresionojë publikun që duket si i sugjestionuar para baticës së shenjave mbi mur.

Shumë e kërkuara dhe e kudondodhura teknikë prezantimi PowerPoint, ka nxjerrë në plan të dytë të gjitha format tjera të prezantimit – që nga fjalimi i lirë, leksionet akademike e deri tek ushtrimet e të folurës publike apo referatet në seminare. Vërejtjet kritike të aty-këtushme ndaj kësaj teknike janë hedhur pas krahëve, ashtu si edhe kritika fondamentale e informaticienit amerikan Edward Tufte në esenë e tij “The cognitive style of PowerPoint”. Argumentet e Tufte-s se PowerPoint-i e budallalleps audiencën, se informacionet thjeshtohen në mënyrë të rrezikshme, se të adresuarit “përmbyten” me një numër të madh slajdesh që e shpërqendrojnë vëmendjen e tyre nga thelbi i çështjes…

Të gjitha këto argumente kanë shënjuar një pozicion interesant në diskursin kritik mbi PowerPoint-in, por pa ndikuar aspak në përhapjen e kësaj forme prezantuese në praktikë. Tashmë, përgatitja dhe paraqitja e një “prezantimi” bën pjesë tek ato kompetenca të paevitueshme, që kanë nxjerrë jashtë loje të gjitha format tjera të transmetimit të dijes.

PowerPoint-i është simptoma e një zhvillimi, i cili beson fort se deficitet e arsimit mund të kompensohen nëpërmjet teknologjizimit të tij. Prej këtij besimi është udhëhequr edhe futja në procesin mësimor të televizorit, video-regjistratorit, overhead-projektor, laptop e të tjera software mësimore.

PowerPoint-i duket se mishëron në një të gjitha ato avantazhe që ekspertë të didaktikës, specialistë të komunikimit, trajnues projektesh kanë rekomanduar dhe rekomandojnë vazhdimisht: Ilustro! Aktivizo disa kanale shqisore! Strukturo informacionin! Nënvizo mesazhin kryesor! Sqaro raportet midis elementeve përmes grafikës! Përdor rrafshe të ndryshe mediale! Trego imazhe! Dinamizo prezantimin!

Të gjitha këto imperativa duket se PowerPoint-i i realizon pa problem. Kjo bën që ditë për ditë, nëpër shkolla e universitete, institucione e konferenca, trajnime mësuesish e kopshte fëmijësh, intervista për punë dhe mbrojtje diplomash e doktoraturash muret e sallave të farfurijnë nga shigjeta të lëvizshme, grafika shumëngjyrëshe, diagrame në formë torte që rreken të shpjegojnë gjëra dhe koncepte të thjeshta, të cilat në fund i përmbyll, ashtu si formula Amin/Amen pas lutjes, fjalia çliruese: Ju falënderoj për vëmendjen!

Sigurisht që nuk mund ta fajësosh teknikën për keqpërdorimin e saj. Sigurisht që është e kollajtë të shpotitësh budallallëqet e mëdha që shfaqen në PowerPoint-et e sotme, si p.sh. me ata prezantues, të cilët nuk bëjnë gjë tjetër veçse projektojnë ca citate të stërgjata, të cilat ose i lexojnë ose nuk i lexojnë me argumentin se tashmë s’është edhe aq thelbësore, ose atë zakonin e disa prezantuesve të tjerë, të cilët kanë përgatitur dhjetëra slajde, i kalojnë ato me shpejtësi duke thënë se “i ka përgatitur, por tashmë janë të panevojshme”, apo me ata të tjerët, të cilët e kuptojnë me vonesë madhësinë jo të përshtatshme të shifrave dhe thonë si nëpër dhëmbë: “Nuk e di nëse mund t’i lexoni shifrat e paraqitura, por gjithsesi nuk kanë dhe aq rëndësi.”

Të ishte vetëm për këto defekte në përdorimin e PowerPoint-it gjysma e së keqes, sepse do mjaftonin disa kurse për ta përmirësuar dhe rritur mjeshtërinë e përdorimit të tij. Por, ka diçka më tepër, më thelbësore se kaq. Pyetja që shtrohet është se a e modifikon logjika e prezantimit PowerPoint konceptin e dijes dhe transmetimin e saj? Si ndikon struktura PowerPoint në procesin e të menduarit? Unë mendoj se PowerPoint-i e ka ndryshuar radikalisht mënyrën se si ne sot transmetojmë një mendim, një tezë, një problem apo një argument.

Nuk po them se na ka bërë më budallenj siç pretendojnë disa studiues. Por, jam i bindur se me PowerPoint mendohet dhe flitet ndryshe. PowerPoint-i u vjen në ndihmë sidomos atyre që s’kanë asgjë për të thënë. Substanca e prezantimit i nënshtrohet teknikës së prezantimit. Pavarësisht se për çfarë flitet, pamjet, lëvizjet dhe gjestet e prezantuesve ngjasojnë me njëra-tjetrën. Softueri dikton sjellje të ndryshme gjuhësore nga forma klasike e të folurës para një audience. PowerPoint-i normativizon sjelljen didaktike më shumë se ç’mund të mendojnë përdoruesit e tij.

Logjika e PowerPoint-it kërkon referencë të vazhdueshme ndaj asaj që shfaqet. Fjala, e cila në një fjalim është mbartësja e vetme e kuptimit, reduktohet në një gjest reference. Çdo prezantim PowerPoint-i është i tejmbushur me fjali të tilla: “Këtu ju shihni…”, “Shikoni pak këtë…”, “Siç tregon diagrama…”, “Ja dhe një citat që ilustron…”. Me fjalë të tjera, PowerPoint-i i dikton fjalimit formën e komentit, sqarimit, përshkrimit, referimit, ndjesës. Në këtë mënyrë, forma të tjera të fjalimit si zhvillimi i një mendimi, verifikimi i argumenteve, rritja graduale retorike, emocionalizimi i publikut përmes gjuhës, neglizhohen. Shtoji kësaj edhe hallakatjen e vëmendjes.

Ajo çka tradicionalisht në retorikë konsiderohej si përjashtim (transferimi i kontrolluar i vëmendjes së dëgjuesit), tanimë kthehet në rregull. Shikimi dhe përqendrimi i dëgjuesit lundron sa te prezantuesi te pamjet shumëngjyrëshe të projektuara në mur. PowerPoint nxit prirjen se para se të kuptosh diçka, duhen të kërkosh disa efekte vizuale apo akustike për ta simuluar procesin e të kuptuarit. Duke qenë se forma komplekse argumentuese apo ligjërimore vështirë të ilustrohen përmes fotosh apo imazhesh, PowerPoint-i le mënjanë kompleksitetin. Gabimisht besohet se përdorimi i një softueri prezantues zgjidh në mënyrë elegante problemin bazë të didaktikës: Si të paraqesësh thjesht një problem të koklavitur. Në fakt, me PowerPoint, e thjeshta thjesht paraqitet më e zbukuruar.

Nuk pretendoj ta eliminoj aplikimin e teknikës për qëllime didaktike, por duhet reflektuar rreth faktit se teknika ka çmimin e saj. Sigurisht që ka raste kur diagramet dhe grafikët apo ndonjë fragment teksti mund t’i shërbejnë çështjes në diskutim, por nëse dikush prezanton diçka, ngaqë s’ka asgjë për të thënë, duhet pyetur pse nuk ka gjë për të thënë. E rëndësishme është që studentët, profesorët, trajnuesit dhe menaxherët të kuptojnë se të prezantosh është diçka, kurse të zhvillosh një tezë apo një mendim është diçka tjetër. Është pak a shumë si ndryshimi midis “të biesh në sy” dhe “të prezantohesh”.

Exit mobile version