Site icon Telegrafi

Powell: Fuqizimi i ekonomisë amerikane garanton rritjen e normave të interesit

Kryetari i Rezervës Federale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Jerome Powell, tha se ekonomia amerikane po performon mirë dhe arsyeton vazhdimin e tkurrjes monetare.

Powell para raportimit në Kongres dha një panoramë pozitive për ekonominë amerikane, e cila është rritur me një ritëm të fortë dhe po merr nxitje nga politikat agresive fiskale.

“Norma e papunësisë është e ulët dhe pritet të bie më tej. Amerikanët që kërkojnë vende pune kanë mundësi të mirë për t’i gjetur”, tha Powell, përcjell Telegrafi.

Ai ndërkohë foli se Rezerva Federale është në procesin e rritjes graduale të normave të interesit. Sipas Powell, tremujori i dytë do të jetë shumë më i fortë pasi që rritja ekonomike në tremujorin e parë ishte në një normë modeste prej 2 për qind.

“Fuqizimi i tregut të punës, rritja e të ardhurave në dispozicion dhe optimizmi i ekonomive familjare, kanë rritur shpenzimet konsumatore në muajt e fundit. Investimet nga bizneset janë rritur gjithashtu me një normë të fortë”, tha Powell.

Inflacioni ka arritur nivelin objektiv të Rezervës Federale në 2 për qind për të parën herë në shumë vite, kurse norma e papunësisë qëndron në nivelin 4 për qind, që konsiderohet si punësim i plotë. /Telegrafi/

Exit mobile version