Site icon Telegrafi

Potenciali ekonomik i Bahtirit, ende larg

Një potencial ekonomik, i cili pretendonte të gjeneronte vende të punës ndoshta më shumë edhe se “Trepça”, pritet të përfundojë së shpejti.

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka siguruar se brenda pak ditësh në fabrikat e tij të kërpudhave do të gjejnë punë mijëra punëtorë.

Ai ka thënë se fabrika e parë, e cila është në përfundim e sipër, do të jetë gati së shpejti, ndërkohë që ka porositur qytetarët e Mitrovicës se janë ata që do të përfitojnë nga investimi në ndërtimin e fabrikave të kërpudhave.

Gjatë një vizite objektit në ndërtim të fabrikës, në Gushavc, bashkë edhe me kryebashkiakun e Vlorës, Driton Leli, kryetari i Mitrovicës ka shpjeguar për procesin e prodhimit të kërpudhave, i cili sipas kryetarit të Mitrovicës, do të nisë së shpejti.

“Ky është objekti i parë, por në vazhdim do të ndërtohen edhe objektet e tjera, në faza. Kur të gjitha të përfundojnë, do të punësohen mijëra të rijnë. Plasmani i prodhimit qysh tani është siguruar. Mitrovica dhe Kosova do të përfitojnë shumë nga ky investim”, ka thënë kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri.

Në fazën e parë, gjegjësisht në fabrikën e parë të kërpudhave, prej pesë sosh që pritet të ndërtohen në Mitrovicë, sipas fjalëve të kryetarit Bahtiri, të dhënë në fushatën zgjedhore, do të punësohen 350 punëtorë, të rijnë mitrovicas, të cilët akoma i mbajnë gjallë shpresat e tyre se do të gjejnë punë në qytetin e ndarë, i cili aktualisht është mjedisi më i varfër në Kosovë.

Gjatë fushatës Bahtiri pati premtuar gjithashtu se brenda mandatit të tij, në Mitrovicë do t’i punësojë 15 mijë njerëz.

Ai përveç në fabrikat e tij kishte llogaritur edhe në punësimin e njerëzve në “Trepçë”, si dhe punësimin e mijëra njerëzve në “Zonën e Lirë Ekonomike”.

Por, përveçqë premtimet nuk janë përmbushur në dy vjetët e para të qeverisjes së tij, kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, nuk ka mundur të bëjë shumë as për ta zhdukur varfërinë, e cila është më e larta në Kosovë. /Zëri/Telegrafi/

Exit mobile version