Reprezentuesi i Irakut, Ahmed Zero, e ka tallur brutalisht Cristiano Ronaldon, teksa postoi një foto përkrah superyllit portugez në Instagram.
Zero, i cili luan për klubin irakian Al Shorta, pohoi se kapiteni portugez është lojtari i dytë më i mirë në historinë e futbollit. Duke gjykuar nga ajo që ka postuar, duket qartë se ai është një tifoz i Lionel Messit.
Al Nassr dhe Al Shorta së fundmi u përballën në gjysmëfinalen e Kupës Arabe të Kampionëve. Ronaldo shënoi golin e vetëm të ndeshjes.
Zero u fotografua me Ronaldon gjatë lojës dhe e shkroi në Instagram: “Me lojtarin e dytë më të mirë në histori”.
Ndërkohë, Cristiano Ronaldo ka shënuar në katër ndeshje radhazi në Kupën Arabe të Kampionëve. Ai ka shënuar 18 herë dhe ka dhënë tre asistime në 24 ndeshje në të gjitha garat për Al Nassr që nga kalimi në janar. /Telegrafi/