Site icon Telegrafi

Postin e guvernatorit të BQK-së e synojnë 24 kandidatë

Ushtruesi i detyrës së guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti, po synon pozitën e guvernatorit të ri të BQK-së. Ai dhe 23 persona të tjerë kanë aplikuar në konkursin për guvernator, i cili është mbyllur të enjten

Gazeta “Zëri” ka mësuar se në këtë konkurs kanë aplikuar 24 kandidatë, në të cilën disa kandidatë janë nga brenda bankës e disa të tjerët janë nga jashtë.

Mehmeti një kohë ka ushtruar pozitën e zëvendësguvernatorit të BQK-së, por pas dorëheqjes së ish-guvernatorit Bedri Hamza, Bordi i BQK-së ka emëruar Mehmetin në pozitën e ushtruesit të detyrës së guvernatorit deri në fund të mandatit që ka pasur Hamza.

Po ashtu, në garë ka hyrë edhe Shkëndije Himaj, e cila aktualisht punon si koordinatore për funksione të përgjithshme në BQK. Në garë ka hyrë edhe Mustafa Hasani, i cili para pak kohësh me vendim të Bordit është shkarkuar nga pozita e kryeshefit të KOSTT-it për mungesë të performancës.

Në garë për guvernator po ashtu është edhe ish-deputetit i lëvizjes “Vetëvendosje” në Kuvendin e Kosovës, Besnik Bislimi.

Në konkursin e shpallur ka aplikuar edhe Besnik Krasniqi, i cili në zgjedhjet e fundit nacionale në vend i kishte hyrë garës për t’u bërë deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, por nuk kishte arritur t’i marrë votat e nevojshme për t’u bërë.

Garës sërish i ka hyrë edhe profesori i Universitetit të Prishtinës Safet Merovci. Ky kishte aplikuar edhe një herë tjetër për këtë pozitë, por nuk kishte arritur të bëhet.

Në garë sipas burimeve të gazetës “Zëri” ka hyrë edhe Ujkan Bajra, i cili është auditor i brendshëm në Agjencinë Kosovare të Privatizimit. Në garë është edhe Sejdi Rexhepi. /Telegrafi/

Exit mobile version