Telegrafi

Postimi i fundit që Bryant bëri para vdekjes, ishte urimi për LeBron James që ia theu rekordin

LeBron James dhe Kobe Bryant (Foto: Jeff Gross/Getty Images/Guliver)

Kobe Bryant është një prej pikëshënuesve më të mirë në histori të NBA. Deri në javën e kaluar, ai ishte i treti në këtë listë me 33.644 pikë të shënuara në karrierën brilante.

LeBron James i shënoi 27 pikë në ndeshjen kundër Brooklyn Nets të enjten mbrëma duke e ngushtuar diferencën me Kobe në 17 pikë.

Kjo nënkuptonte se ai duhej t’i shënonte 18 pikë në duelin e të shtunës kundër Philadelphia 76ers për ta thyer rekordin e Bryant në listën e pikëshënuesve më të mirë të të gjitha kohërave në NBA.

Lexo po ashtu Reagimi i LeBron James kur kuptoi për vdekjen e Kobe Bryant: Ai u largua nga aeroplani me të cilin po udhëtonin Lakers me lot në sy

Dhe pikërisht këtë e bëri. James i shënoi 29 pikë duke u ngritur në vendin e tretë me 33.655 pikë, ndërsa para tij ndodhen vetëm Kareem Abdul-Jabbar dhe Karl Malone.

Kobe Bryant dhe LeBron James në një përballje të vitit 2016 (Foto: Harry How/Getty Images/Guliver)

Bryant u shpreh i kënaqur me këtë arritje të LeBron, i cili luan për ish-ekipin e tij, Los Angeles Lakers, ashtu që e shfrytëzoi profilin e tij në Twitter për t’ia uruar këtë arritje. Fatkeqësisht, ky ishte postimi i fundit që ai e bëri.

“Vazhdon ta dërgojë lojën përpara, Lebron James. Shumë respekt vëllai im, #33644 (duke iu referuar numrit të tij të pikëve)”, kishte shkruar Bryant në ditën e vdekjes. Një urim të ngjashëm, ai e kishte publikuar edhe në Instagram. /Telegrafi/