Telegrafi

Postimi emocionues i Buffon: I kam dhënë gjithçka Juves

(Foto: Instagram/gianluigibuffon)

Gianluigi Buffon e ka konfirmuar lamtumirën e tij për Juventusin përmes një postimi në rrjetet sociale duke thënë se ka dhënë gjithçka për këtë klub dhe ka marrë akoma më shumë në këmbim.

Portieri legjendar iu bashkua Zonjës së Vjetër në vitin 2001 nga Parma, ndërsa në sezonin 2018/2019 u largua drejt Paris Saint-Germainit, për t’u rikthyer sërish.

Tash, në moshën 43 vjeçare, Buffon nuk është duke u pensionuar nga futbolli, por po i thotë lamtumirë Juves.

(Foto: Instagram/gianluigibuffon)

“Çdo fillim e ka një fund. Ky është fundi i gjysmës time të dytë te Juve”, ka shkruar Buffon në Instagram.

Lexo po ashtu Pasi e konfirmoi largimin nga Juventusi, klubi ia kujton dhjetë pritjet më të bukura Gigi Buffonit

“Është vendim që është marrë, i pjekur dhe e kam bërë të ditur muaj më parë. Mirëpo, nuk është një vendim i lehtë. Sepse nuk është lehtë të presësh këtë kordon të kërthizës, nga historia ime, gëzimi im, lotët e mi, shtëpia ime”.

“Kurrë nuk mund të ekzistojë një falënderim aq i madh saqë ta mbulojë këtë. Kam dhënë gjithçka. Kam marrë akoma më shumë në këmbim”.

“Ajo që do të vijë akoma nuk është shkruar. Dhe duhet të përjetohet. Gjithmonë, fino alla fine (slogani i Juventusit: ‘Deri në fund’”, ka shkruar më tej Buffon. /Telegrafi/