Site icon Telegrafi

Posta kërkon subvencionim nga Qeveria

Posta e Kosovës kërkon nga qeveria e vendit që t’ia mbulojë humbjet financiare këtij operatori publik, ashtu si përcaktohet me Ligjin për Shërbimet Postare.

Drejtori i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha në një prononcim për Radio Kosovën, këtë e arsyeton me faktin se dërgesat postare janë të obliguar t’i realizojnë sipas ligjit, edhe pse ky obligim po u shkakton humbje financiare.

Prej ndarjes nga PTK-ja të Postës në entitet të veçantë, me gjithë 20 për qind reduktim të shpenzimeve, dhe futjes së shërbimeve të reja nga të cilat ka rritje të të hyrave, kjo ndërmarrje po ballafaqohet me probleme financiare. Posta ka trashëguar numër të lartë të punëtorëve, veç kësaj është i detyruar të kryejë shërbimin e dërgesave postare me humbje, prandaj sipas drejtorit Sejdi Hoxha, Posta duhet të subvencionohet nga Qeveria.

“Mos të harrojmë se që nga viti 2012, qeveria e Kosovës nuk e ka bërë mbulimin e humbjes së shërbimeve postare që është e përcaktuar me Ligjin mbi shërbimet postare. Neve shërbimet postare i ofrojmë me humbje, për shkak se e kemi obligim qytetarëve për të dërguar dërgesën postare. Keni parasysh se deri në vendet më të thella të Kosovës, për 0.30 euro jemi të obliguar çdo ditë ta dërgojmë Postën dhe ky është një shërbim që krijon humbje 1.5 milion euro vjetore Postës së Kosovës”, tha ai.

Sikur ky shërbim të mbulohej nga Qeveria e Kosovës, drejtori Hoxha shprehet i bindur se në asnjë mënyrë nuk do të diskutohej stabiliteti financiar i ndërmarrjes. Ai thotë se deri tash, me gjithë kërkesat zyrtare, nuk kanë marrë përgjigje pozitive.

“Ne kemi kërkuar edhe në këtë 6 mujor rishikim të buxhetit që Posta e Kosovës të ndihmohet me këtë pjesë të subvencionit. Ju kemi dërgua shkresë, edhe kryeministrit, edhe ministrave përkatës, jemi duke pritur. Besoj që kjo çështje duhet të trajtohet, në të kundërtën në çdo moment mund të rrezikohet ofrimi i një shërbimi universal postar me standarde që ne jemi duke ofruar maksimalisht për shkak të humbjeve të mëdha që ne krijojmë për ta ofruar këtë shërbim”, thekson Hoxha

Drejtori i Postës Sejdi Hoxha thotë se shumica e vendeve të rajonit pranojnë subvencion nga qeveritë e tyre për ta ofruar këtë shërbim. Shumica e vendeve të tjera të Europës kanë marrë subvencione derisa kanë krijuar një stabilitet financiar, veçanërisht pas fazës së ndarjes. Ndryshe, sipas Ligjit mbi Shërbimin Postar, thuhet se realizimi i shërbimi universal postar, sigurohet në rast nevoje edhe me mbështetje nga Qeveria përmes subvencioneve. /Telegrafi/

Exit mobile version