Posta e Kosovës, përmes Filatelisë së saj, ka lëshuar sot emisionin e ri të pullave postare me temën “Pyjet dhe rudinat”.
Ky emision përbëhet nga dy pulla postare dhe një bllok filatelik, duke sjellë në vëmendje bukurinë e mahnitshme të resurseve pyjore dhe minerale të Kosovës.
Sipas një njoftimi, “kjo iniciativë është një përpjekje për të nderuar dhe promovuar pasurinë natyrore të vendit, e cila ka një rëndësi të veçantë për zhvillimin e qëndrueshëm”.
Agjencia Pyjore e Kosovës tregon se vendi mbulon rreth 481 mijë hektarë pyje, ose 44.7% të territorit të përgjithshëm.
Në njoftim theksohet se “resurset pyjore të Kosovës kanë rëndësi të madhe, jo vetëm për ekonominë e vendit, por edhe për përmirësimin e cilësisë së ajrit, prodhimin e oksigjenit dhe sekuestrimin e karbonit”.
Këto pyje gjithashtu ndihmojnë në mbrojtjen e tokës nga erozioni dhe në sigurimin e ujit të pijshëm për popullatën.
Emisioni është realizuar me mbështetje të Agjencisë Pyjore të Kosovës dhe do të mbetet në qarkullim deri në konsumimin e plotë të stokut.
Posta e Kosovës u ofron të apasionuarve pas filatelisë dhe natyrës mundësinë për të kontribuar në promovimin e kësaj çështjeje të rëndësishme. Ky hap thekson angazhimin për ruajtjen e natyrës dhe burimeve natyrore për brezat e ardhshëm. /Telegrafi/