Telegrafi

Posta e Kosovës dhe Posta e Maqedonisë me marrëveshje bashkëpunimi

Marrëveshja ofron shërbime specifike për nevojat e të dy Postave.

“Posta e Kosovës, Njësi Biznesi e PTK sh.a. dhe unë personalisht kemi kënaqësinë ta vazhdojmë bashkëpunimin me Postën e Maqedonisë në shkëmbimin e EMS dërgesave – postës së shpejtë, gjë që do të ndikojë pozitivisht në përmbushjen e kërkesave të klientëve tanë dhe do t’i hap dyert e bashkëpunimeve të reja edhe në të ardhmen”, ka thënë Kryeshefi Ekzekutiv i PTK Shyqyri Haxha, me rastin e nënshkrimit të kontratës.

Njëherësh, kjo marrëveshje do të ndikojë në mënyrë të drejtpërdrejtë në rritjen e të hyrave të Postës së Kosovës, që është edhe synim i Menaxhmentit.

Drejtori i përgjithshëm i Postës së Maqedonisë, Ejup Rustemi, ka thënë se kjo marrëveshje është shumë e rëndësishme për ndërmarrjen të cilën ai e drejton si dhe për klientët e saj.

“Arritja e kësaj marrëveshjeje është hap në trendin e bashkëpunimit midis PTK-së dhe Postës së Maqedonisë, duke mundësuar në këtë mënyrë krijimin e rrethanave më të favorshme për konsumatorët tanë”.

Kjo marrëveshje bëhet në kuadër të angazhimeve të Postës së Kosovës që të zhvillojë shërbimin postar. /Telegrafi/