Site icon Telegrafi

Posta dhe Kolegji “Dukagjini” nënshkruajnë marrëveshje

Posta e Kosovës dhe Kolegji “Dukagjini” në Pejë kanë nënshkruar një marrëveshje mirëkuptimi nga e cila më së shumti përfitojnë studentët e këtij kolegji.

Kryeshefi Ekzekutiv Sejdi Hoxha dhe rektori Esat Dauti, sqaruan se kjo marrëveshje ju mundëson studentëve të kryejnë në Postë të gjitha llojet e pagesave që kanë të bëjnë me Kolegjin me një provizion të ultë.

Kjo Marrëveshje Mirëkuptimi përfshin edhe ofrimin e mundësisë që studentë të Kolegjit “Dukagjini” ne Pejë të ndjekin mësimin praktik në Postën e Kosovës. Bashkëpunimi mes dy institucioneve përfshin edhe hapjen e ekspozitave me pulla postare në hapësirat e këtij Universiteti, etj.

Gjithashtu, Kolegji do të shfrytëzojë edhe shërbimin postar të Postës së Kosovës.

Duke e përgëzuar dhe falënderuar rektorin Dauti për këtë marrëveshje, Kryeshefi Sejdi Hoxha u ka bërë thirrje të gjitha kolegjeve private në Kosovë që të ofrojnë lehtësira dhe kushte më të mira për studentë siç është mundësia që pagesat e ndryshme që kanë të bëjnë me kolegje t’i kryejnë me tarifat ose provizion sa më të ultë të mundshëm duke përfshirë ditët e vikendit.

“Këtë e ofron Posta e Kosovës. Ju tashmë e dini se për këtë veprimtari të shërbimit financiar jemi licencuar nga BQK dhe jemi shumë të kënaqur që të gjithë qytetarëve ju kemi mundësuar të paguajnë të gjitha llojet e faturave, përfshirë edhe fatura që nuk kanë fare provizion siç janë ato për energjinë elektrike dhe ujin”, tha Hoxha.

Ai shtoi se Posta e Kosovës është ndërmarrje publike, pronë e qytetarëve të Kosovës, prandaj do të vazhdoj të punoj në interes të tyre përmes shërbimeve të lira dhe cilësore dhe falënderoi menaxherin regjional Kushtrim Cukaj dhe stafin e tij për angazhimin ne arritjen e kësaj marrëveshje.

Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes kanë marrë pjesë edhe zyrtarë tjerë të lartë të Postës: Bashkim Mustafa, Këshilltar i Kryeshefit, Burim Geci, Drejtor i Operativës, Xhevdet Smakiqi Drejtor Ligjor dhe Kushtrim Cukaj, Menaxher i Postës për regjionin e Pejës. /Telegrafi/

Exit mobile version