Telegrafi

Aktakuzë për shpërlarje parash ndaj pronarit të një kompanie në Prishtinë

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur sot, në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, aktakuzë kundër të pandehurit me inicialet H.G.

Prokuroria Speciale njofton se i pandehuri H.G. akuzohet se duke vepruar në bashkëkryerje edhe me persona tani për tani të paidentifikuar, në llogarinë bankare të kompanisë së tij me seli në Prishtinë, ka pranuar dhe ka poseduar shumën e të hollave prej dyqind e trembëdhjetëmijë e tetëqind e nëntëdhjeteshtatë (213,897.94) euro, me qëllimin që ato të vihen në qarkullim si të siguruara në mënyrë të ligjshme.

“Ndërsa shumën prej nëntëmijë e pesëqind (9,500.00) euro kishte arritur t’i tërheqë duke prezantuar fakte të rrejshme se gjoja i ka realizuar në mënyrë të ligjshme, edhe pse e ka ditur se pasuria e caktuar- mjetet e lartcekura janë fituar përmes aktivitetit kriminal të kryer përmes përdorimit të sistemit kompjuterik nga personi tani për tani i paidentifikuar, në këtë mënyrë ka kryer veprën penale në bashkëkryerje edhe me të pandehurit tjerë të paidentifikuar ‘’Shpëlarja e parave’’- bën të ditur Prokuroria Speciale.

Më tej, në njoftim theksohet se, Prokuroria pas pranimit të informatave lidhur me kryerjen e kësaj vepre penale, kishte arritur që përmes Urdhrit të përkohshëm për ngrirje të sekuestronte përkohësisht mjetet në shumën prej dyqind e trembëdhjetëmijë e tetëqind e nëntëdhjeteshtatë (213,897.94) euro, të cilën shumë me paraqitjen e Aktakuzës, PSRK i ka propozuar Gjykatës që ta konfiskojë si dobi e fituar nga vepra penale respektivisht që kanë rrjedhur nga aktiviteti kriminal i të pandehurit, me urdhër që e njëjta shumë të transferohet tek pala e dëmtuar. /Telegrafi/