Telegrafi

Portugalia shumë e fortë për Zvicrën, përfundon botërori për Xhakën, Shaqirin dhe Jasharin

Portugalia ka shënuar fitore ndaj Zvicrës me rezultat 6-1 për të kaluar më çerekfinale të Kampionatit Botëror.

Ndeshja nisi shumë mirë për portugezët që shënuan në minutën e 17-të me Goncalo Ramos që përfitoi nga asistimi i Joao Felix.

Në minutën e 33-të ishte Bruno Fernandes që asistoi nga këndi për Pepen që shënoi me kokë për 2-0.

Edhe pjesa e dytë nisi mirë për portugezët që shënuan me Goncalo Ramos pas asistimit të Diogo Dalot për 3-0.

Ramos asistoi Raphael Guerreiro në minutën e 55-të për 4-0.

Tri minuta më pas Zvicra e gjeti golin e vetëm në këtë ndeshje, kur Manuel Akanji tundi rrjetën për 4-1.

Në minutën e 67-të, Joao Felix asistoi sërish te Goncalo Ramos që kompletoi het-trikun për 5-1.

Golin e fundit në ndeshje e shënoi Rafael Leao për 6-1, duke e dërguar Portugalinë në çerekfinale.

Për Zvicrën luajtën nga minuta e parë Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri, ndërsa në fund në lojë u fut edhe Ardon Jashari. /Telegrafi/