Kombëtarja e Portugalisë e ka siguruar pjesëmarrjen në Kampionatin Botëror, ‘Rusia 2018’, pas fitores prej 2-0 kundër Zvicrës.
Në ndeshjen e zhvilluar në Estadio da Luz në Lisbonë, mysafirëve ku luajnë shumë shqiptarë, u mjaftonte vetëm barazimi.
Mirëpo, ata nuk arritën që të nxirrnin së paku një pikë për të qëndruar në krye të Grupit B, ashtu që kualifikimin e mëtutjeshëm do ta kërkojnë me anë të ‘play-offit’.
Rezultati u zhbllokua në minutën e 41-të. Pas një rrëmuje të krijuar para portës së mysafirëve, topi e kaloi vijën fatale. Goli u regjistrua si autogol i Johan Djourou.
Ky ishte goli i vetëm i pjesës së parë dhe portugezët shkuan në pushim me epërsi.
Skuadra nikoqire ia doli të realizonte edhe në gjysmën e dytë. Bernardo Silva e dërgoi topin në zonë drejt Andre Silvas, i cili nuk e pati të vështirë të shënonte në portën e zbrazët (57’).
Në pjesën e mbetur të takimit nuk u shënuan gola të tjerë, ashtu që portugezët arkëtuan tri pikë nga ky takim.
Në këtë mënyrë, Portugalia u barazua me pikë me Zvicrën në Grupin B, me nga 27 pikë, por Cristiano Ronaldo dhe bashkëlojtarët e tij do të jenë në Rusi falë golaverazhit më të mirë.
Zvicra e shqiptarëve do ta kërkojë pjesëmarrjen në Kampionatin Botëror nëpërmjet ‘play-offit’. /Telegrafi/
https://youtu.be/Duo7KY-tf3E
https://www.youtube.com/watch?v=wy3hYTPZDLk