Kombëtarja e Portugalisë ka arritur të fitojë me vështirësi në udhëtim te Andorra me rezultat 2-0 në kuadër të eliminatoreve për Kampionatin Botëror “Rusia 2018”.
Udhëtimi i Portugalisë në Andorrë ka dalë të jetë shumë më i vështirë sesa që është menduar nga trajneri Fernando Santos.
Kjo pasi Portugalia ka arritur ta fitojë ndeshjen vetëm në pjesën e dytë, pasi në të parën nuk arritën të shënojnë asnjë gol edhe përkundër dominimit.
Pjesa e parë e takimit u dominua nga portugezët, por fati nuk deshi asnjëherë që topi të hynte në portë dhe 45 minutat e parë përfunduan ashtu si filluan, 0-0.
Në pjesën e dytë, Santos vendosi ta fus menjëherë Cristiano Ronaldon në ndeshje, i cili doli të jetë heroi i portugezëve.
Ronaldo shënoi golin e epërsisë 1-0 nga afërsia në minutën e 63-të, pas një pozite të dyshimtë.
Pas këtij goli, Portugalia pati edhe shumë raste tjera për shënim, por arriti ta konkretizojë vetëm edhe një në minutën e 86-të, ku Andre Silva shënoi për 2-0 pas asistimit të Danilos dhe vulosi fitoren dhe rezultatin përfundimtar të takimit.
Portugalia edhe pas kësaj fitore vazhdon të mbetet në pozitën e dytë me 24 pikë apo tre më pak se Zvicra në pozitën e parë, me të cilët luan në takimin e fundit në shtëpi, ndërsa Andorra renditet në vendin e fundit me katër pikë. /Telegrafi/