Telegrafi

Portugalia fiton me përmbysje ndaj Skocisë – Ronaldo ‘heroi’ i takimit

Portugalia ka shënuar fitore me rezultat 2-1 ndaj Skocisë në kuadër të edicionit të ri të Ligës së Kombeve.

Fillimisht ishin mysafirët ata që ia dolën të kalojnë në epërsi falë golit të shënuar me kokë nga Scott McTominay në minutën e shtatë për 1-0.

Portugezët filluan sulmet e njëpasnjëshme pas golit të pësuar dhe iu afruan disa herë atij me anë të Rafael Leaos dhe Diogo Jotas, por portieri Angus Gunn ishte i pamposhtur.

Reagimi i të besuarve të Roberto Martinez erdhi në pjesën e dytë pikërisht kur atëherë në lojë u inkuadrua edhe Cristiano Ronaldo.

Portugalia fillimisht arriti që të barazojë rezultatin në 1-1 përmes Bruno Fernandes i cili realizoi pas asistimit nga Rafael Leao.

Vendasit patën edhe tri raste të tjera shënimi, dy prej tyre me Ronaldon dhe një me Felix, por që nuk ia dolën ta gjejnë golin e avantazhit.

Eventualisht pas disa tentimeve të njëpasnjëshme, ishte Cristiano Ronaldo ai i cili u gjend mjaft mirë në zonë për ta çuar topin në rrjetë për 2-1.

Deri në fishkëllimën e fundit të gjyqtarit Portugalia ia doli ta menaxhojë mirë epërsinë që krijuan dhe kështu morën fitoren e dytë radhazi pas asaj që arritën ditë më parë ndaj Kroacisë (2-1)./Telegrafi/

Standings provided by Sofascore