Kombëtarja e Portugalisë ka fituar me rezultat 2-1 ndeshjen e vlefshme për vendin e tretë apo medaljen e bronztë ndaj Meksikës në Kupën e Konfederatave “Rusia 2017”, ndeshje e cila ishte dramë në veti, ku fituesi u caktua vetëm në vazhdime.
Portugalia është treguar e matur në takimin e vështirë ndaj Meksikës, duke treguar forcën e tyre të vërtetë, pasi u kthyen nga disavantazhi dhe në fund fituan ndeshjen dhe medaljen e bronztë.
Pjesa e parë e takimit i takoi në përgjithësi portugezëve, të cilët patën disa raste të mira për të kaluar në epërsi.
Rasti më i mirë në këtë pjesë ishte penalltia e humbur nga Andre Silva në minutën e 16 të ndeshjes dhe kështu kjo pjesë përfundoi pa gola.
Në pjesën e dytë, të dy kombëtaret krijuan raste të mira, por golin e gjetën vetëm meksikanët të cilët në minutën e 54 kaluan në epërsi pas autogolit të shënuar nga mbrojtësi Neto.
Në vazhdim, Portugalia u hedh me të gjitha forcat në sulm duke tentuar të gjej medoemos golin e barazimit, por atë e gjeti vetëm në minutat shtesë me anë të kapitenit Pepe, i cili shënoi gol të bukur për 1-1 pas asistimit të Ricardo Quaresmas dhe me barazim përfundoi koha e rregullt.
Në vazhdimet prej 15 minutave ishte përsëri Portugalia më kërkuese dhe e gjeti golin e epërsisë në minutën 104, ku ishte Adrien Silva, i cili shënoi nga penalltia për 2-1 dhe ky gol ishte i fitores dhe rezultatit përfundimtar duke bërë që Portugalia në fund t’i gëzohet këtij triumfi në Kupën e Konfederatave, duke rrëmbyer medaljen e bronztë.
Në vazhdimin e dytë, të dy kombëtaret mbeten me nga një futbollist më pak, pasi fillimisht ishte Nelson Semedo (106′) i Portugalisë dhe pastaj Raul Jimenez (112′) për Meksikën që u ndëshkuan me kartonë të kuq.
Ndryshe, finalja e Kupës se Konfederatave zhvillohet nga ora 20:00, ku do të takohen Gjermania dhe Kili. /Telegrafi/