Përballja e parë historike e Kosovës ishte ajo ndaj Haitit që u mbyll pa gola. Më 21 maj, përfaqësuesja jonë do të luajë kundër Turqisë në Mitrovicë, ndërsa katër ditë më pas (25 maj) do të ballafaqohet me Senegalin në Gjenevë.
Ndërkaq, tashmë është konfirmuar se në fillim të shtatorit (data akoma e pacaktuar nga FIFA), Kosova do ta zhvillojë ndeshjen e katërt dhe kësaj radhe ndaj një kundërshtari me nam, që padyshim se do ta mbushë plot stadiumin “Adem Jashari”. Superylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, do të na vizitojë me bashkëlojtarët e tij te kombëtarja (si Nani, Pepe, Coentrao etj.) për miqësoren e radhës që nuk ka dyshim se do ta fitojmë.
Qeveria e Kosovës ka parapëlqyer që të luajë kundër Argjentinës apo Brazilit, mirëpo meqë këto dy shtete nuk e kanë njohur Kosovën, opsioni më i mirë ishte Portugalia, e cila e ka njohur pavarësinë e Kosovës që në tetor të vitit 2008. Kujtojmë statusin e kryeministrit në Facebook: “Zgjidhni, tiki-taka me Brazilin apo topa të gjatë me Anglinë”.
Natyrshëm shënjestra e radhës do të jetë Lionel Messi dhe Argjentina e tij, mirëpo fillimisht do të angazhohen disa njohës ligjorë për të gjetur hapësira në ligjet e OKB-së dhe rregullat e FIFA-s për të luajtur kundër një kombëtareje që nuk e ka njohur pavarësinë. (Një shembull i ngjashëm është ai me shtetet që i njohin dokumentet e Kosovës, por jo edhe pavarësinë e saj).
Pas marrjes së këtij lajmi, kanë filluar menjëherë bisedimet për aranzhimin e një takimi me Adnan Januzajn, për ta bindur supertalentin e Manchester Unitedit që ta përfaqësojë Kosovën së paku në këtë ndeshje. 19-vjeçari ka të drejtë të luajë në një ndeshje jozyrtare për shtetin tonë dhe sërish të ketë të drejtën të zgjedhë cilëndo përfaqësuese që preferon. Prandaj, sipas asaj që shkruhet në mediat angleze, mbi 90 për qind është e sigurt se Albert Bunjaki do ta ketë në skuadër superJanuzajn për këtë përballje të rëndësisë së madhe, veçmas për tifozët e futbollit.
Me shpresë që do ta ndezim atmosferën në stadium duke kaluar momente të paharrueshme dhe çaste historike duke shijuar futbollin e përfaqësueses së Kosovës përballë kombëtares së njërit nga futbollistët më të mirë në vitet e fundit… jua urojmë 1 Prillin. /Telegrafi/