Telegrafi

Portreti i Nënë Terezës në pullat postare amerikane

Sipas shtypit amerikan, me anë të këtij veprimi, shërbimi Postar amerikan nderon Nënë Terezën, e cila mori Çmimin Nobel në vitin 1979, për punën e saj humanitare. Pulla postare do të mbajë portretin e Nënë Terezës, të pikturuar nga fituesi i shumë çmimeve, artisti Thomas Blackshear II.

E njohur për përkushtimin dhe dhembshurinë për njerëzit e vuajtur dhe të varfër, kjo grua shtatvogël, qytetare nderi e SHBA-së, i ka shërbyer njerëzve në nevojë në Indi dhe në gjithë botën, përgjatë 50 viteve. Figura e saj, përulësia dhe respekti që kishte për qenien njerëzore, pa përjashtim, ka frymëzuar shumë njerëz të ndjekin rrugën e saj, në ndihmë të njerëzve të varfër.

Kur murgesha me origjinë shqiptare mori çmimin Nobel, një ndër të shumtit që ajo mori gjatë jetës së saj, ajo u shpreh: “Në emër të të varfërve, të të uriturve, të të sëmurëve dhe të vetmuarve” dhe bindi organizatorët që paratë që do të përdoreshin për banketin ceremonial, t’ua dhuronin të varfërve.

E respektuar në të gjithë botën, ajo bindi njerëz të biznesit dhe krerë shtetesh të ofronin ndihma financiare dhe kohën e tyre në ndihmë të njerëzve në nevojë. Ish-Presidenti, Ronald Regan e nderoi atë me “Medaljen e Lirisë” në vitin 1985. Në të njëjtin vit ajo filloi punën mes të prekurve me AIDS në SHBA e në gjithë botën.

Në vitin 1996, ish-presidenti Bill Clinton dhe Kongresi amerikan i japin Nënë Terezës qytetarinë amerikane. Një vit më vonë Kongresi amerikan e nderoi atë me “Medaljen e artë” për kontributin e saj humanitar. /Panorama/