Telegrafi

Portieri i Slavias, Kolar: Shumë lojtarë të Barcelonës nuk na uruan, përfshirë edhe Messin

Heroi i Slavia Pragës, portieri Ondrej Kolar u nda i zhgënjyer me disa nga yjet e Barcelonës, që nuk u ndalën të shtrëngojnë duart ose të këmbejnë fanellat pas barazimit 0-0 në Ligën e Kampionëve të martën.

Barca tentoi të shënojë disa herë, por ishte e shkruar që ndeshja të mbyllej në barazim.

Portieri Kolar, i cili ishte padyshim lojtar i ndeshjes, e veçoi Andre Ter Stegen për ta lavdëruar pasi portieri i Barçës e priti në tunelin e Camp Nou për të uruar, por jo disa shokë të tij.

Lionel Messi e Ondrej Kolar. (Photo by Alex Caparros/Getty Images)

“Ai po më priste brenda tunelit”, ka thënë Kolar pas ndeshjes, siç citohet nga iDNES.cz.

“Ai më ndaloi dhe tha që nuk kishte parë qe një kohë, paraqitje të tillë të mirë në portë për një kohë të gjatë dhe se ishte kënaqësi të më shihte duke luajtur mirë me këmbë”.

“Kur dëgjova lëvdata të tilla nga një portier kaq i mirë, unë isha i rrëqethur. Ishte një përvojë e mahnitshme, por disa nga lojtarët e tjerë …”.

Antoine Griezmann e Ondrej Kolar. (Photo by Alex Caparros/Getty Images)

“Messi dhe të tjerët thjesht u larguan – disa prej tyre as nuk na shtrënguan duart. Ishte trishtuese. Të gjithë prisnim të takonim këta lojtarë të mëdhenj, donim të shkëmbejmë fanellat pas ndeshjes, por ata nuk u sillën shumë mirë”, ka thënë Kolar.

Pavarësisht nga sjellja e lojtarëve të Barcelonës, Kolar shtoi se ishte një nga netët më të mëdha të jetës së tij. /Telegrafi/