Portieri i dytë i klubit shqiptar Partizani, Aldo Teqja, ka rënë nga kati i gjashtë i pallatit ku banon, në rrugën “Medar Shtylla” në kryeqytet, mbrëmjen e sotme rreth orës 19:40, dukë përfunduar në spitalin e Traumës, në gjendje të rëndë shëndetësore.
Lajmi është dhënë fillimisht nga policia e kryeqytetit, që raportoi se gardiani 24-vjeçar është hedhur duke qenë në kushte të rënduara psikologjike, por klubi i Partizanit korrigjoi lajmin, duke thënë se gjithçka ishte aksidentale.
Aktualisht Aldo Teqja ndodhet në ambientet e Spitalit të Traumës, në gjendje të rëndë shëndetësore, por jashtë rrezikut për jetën, ndërsa atje kanë mbërritur edhe shokët e tij te skuadra e Partizanit.
Komunikata e Policisë:
Tiranë/Informacion Paraprak
Rreth orës 19:40 në rrugën “Medar Shtylla”, dyshohet se në kushte të rënduara psikologjike, është vetëhedhur nga kati i 6-të i banesës shtetasi A. T.,24 vjeç,i cili u dërgua në spital për ndihmë të specializuar mjeksore.
Grupi hetimor po vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Komunikata e Partizanit:
Klubi njofton se pjestari i ekipit Aldo Teqja siç edhe është raportuar në media ka pësuar një aksident menjëherë pas përfundimit të takimit Partizani – Teuta. Aktualisht portieri Teqja gjendet i shtruar në spitalin e Traumës në Tiranës nën mbikqyrjen e mjekëve, fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën. Mjekët e spitalit janë duke monitoruar gjendjen e Lojtarit. Prezent në ambientet jashtë spitalit janë shokët e skuadrës, stafi dhe drejtues të Klubit.