Telegrafi

Zyrtare: Portieri i Manchester Cityt, Arijanet Muriqi i thotë ‘Po’ Kosovës

Portieri me prejardhje shqiptare i Manchester Cityt, Arijanet Muriqi ka pranuar të veshë fanellën e Përfaqësueses së Kosovës.

Përpjekjet e pareshtura të ish-presidentit Fadil Vokrri e ku ishte i pranishëm edhe presidenti i tanishëm Agim Ademi bashkë me menaxherin Bajram Shala, për të sjellë futbollistë të ri e të talentuar në Kombëtaren A, u kurorëzuan me sukses.

Pas disa muajve të bisedave të frytshme, sot (e diel) portieri i Manchester Cityt, Arjanet Muriqi i ka thënë ‘po’ Kombëtares A të Kosovës.

Lexo po ashtu Arijanet Muriqi, portieri i talentuar shqiptar që u grumbullua në bankën rezervë të Manchester Cityt

Duhet cekur se Arjaneti është portier 19-vjeçar me lartësi 1.98 cm dhe luan për U-23 të Manchester Cityt dhe ka kontratë deri më 2021, ndërsa dje (e shtunë) ishte në bankën rezervë ndaj Wolvesit.

Arijanet Muriqi

Bëhet fjalë për portierin shqiptar nga Mali i Zi i lindur në Zvicër e një kohë ka mbrojtur ngjyrat e Cyrihut për kaluar në Man City.

Në një bisedë telefonike babai i Arjanetit, z. Samir Muriqi ka shprehur kënaqësinë e tij dhe ka falënderuar krerët e FFK-së:

“Jam shumë i lumtur që pas shumë bisedave që patëm me krerët e FFK-së dhe pas bashkëbisedimit me djalin tim Arjanetin, ai, vendosi që t’i bashkohet Kosovës përkatësisht Kombëtares A”.

“Arjaneti ishte pjesë e Kombëtares malazeze natyrisht për të rinjtë, por ai dhe unë si baba vendosëm t’i themi ‘po’ Kosovës e t’i bashkohemi trungut tonë të cilit i takojmë”.

“Besojë se Arjaneti do të japë kontributin e tij dhe se Kosova ka fituar një portier me perspektivë. Të kuptohemi ne nuk po e tradhtojmë as Malin e Zi por ata nuk kanë qenë të gatshëm t’i gjejnë një vend në Kombëtaren A, kësisoj ne bëmë zgjedhjen e duhur”.

“Unë besoj se Kosova ka një të ardhme të ndritur e që shpresoj që edhe Arjaneti të jetë pjesë e këtij suksesi dhe uroj gjithë të mirat”.

Lexo po ashtu Lojtarët e Kosovës që ndryshuan ambient në këtë afat kalimtar – Berisha, Ujkani, Celina, Kololli, Sahiti e Kryeziu, emrat që ndërruan skuadër

Ndërkaq, presidenti i tanishëm i FFK-së, z. Agim Ademi, i cili ishte pjesë e bisedimeve me Arijnetin, për ardhjen e tij u shpreh: “Me vjen mirë që pas shumë muajve bisedimeve që patëm me këtë futbollist të ri e shumë talentuar arritëm mirëkuptim që të na bashkohet në rrugëtimin tonë për Ligën e Kombeve”.

“Ne nuk do të ndalemi por do të kërkojmë edhe futbollistë tjerë që luajnë nëpër Evropë, por shtabi teknik i Kombëtares A do të vëzhgojë edhe futbollistët nga IPKO Superliga e Kosovës”. /Telegrafi/