Telegrafi

Portieri i Leedsit, Meslier tregohet ‘superman’ – ia pret penalltinë dhe goditjen tjetër nga pesë metra Coutinhos

Portieri i Leeds Unitedit, Illan Meslier ka pushtuar rrjetet sociale pas dy pritjeve magjike ndaj yllit të Aston Villa, Philippe Coutinho.

Leeds Unitedi është mposhtur nga Aston Villa me rezultat minimal 1-0 në ndeshjen miqësore të zhvilluar sot (e diel).

Goli i vetëm i ndeshjes ka ardhur në pjesën e dytë, me Danny Ings, i cili ka shënuar për 1-0 nga penalltia në minutën e 63-të.

Megjithatë, Aston Villa mund të kishte shënuar edhe gjatë pjesës së parë, pasi gjithashtu kishte një penallti të fituar.

Por, portieri Meslier u përkujdes të tregohet vendimtar duke ia mohuar golin yllit brazilian, Coutinho.

E gjitha ndodhi në minutën e 24-të, kur Meslier priti penalltinë e Coutinhos, ndërsa nga topi i kthyer braziliani provoi përsëri, por edhe kësaj radhe iu mohua goli.

Pritjet e portierit francez kanë pushtuar tashmë rrjetet sociale. /Telegrafi/