Telegrafi

Portieri i Juventusit, Szczesny u largua nga fusha i përlotur pasi nuk mundte të merrte frymë – ai foli pas ndeshjes për situatën

Portieri i Juventusit, Wojciech Szczesny u largua nga fusha në minutën e 44-të të ndeshjes çerekfinale të Ligës së Evropës kundër Sportingut (1-0).

Polaku papritmas u ankua për dhimbje gjoksi dhe pas disa minutash ndihmë u largua nga fusha i përlotur. Ai u zëvendësua nga Mattia Perin.

Szczesny u ankua për takikardi (rrahje të shpejta të zemrës), por mjekët e Juventusit thonë se pas ekzaminimeve të para gjithçka është në rregull, këtë e ka konfirmuar edhe vetë portieri i Juventusit pas ndeshjes.

“Jam mirë, ndjeva ankth, por bëmë analizat dhe gjithçka është në rregull. Unë u frikësova, kjo nuk më ka ndodhur kurrë, mezi merrja frymë dhe isha shumë i shqetësuar”, ka thënë fillimisht polaku.

Szczesny pastaj që njihet për humorin e tij, e ka kthyer pastaj në shaka situatën, duke e lidhur me Mattia Perinin.

“E vërteta e vërtetë është se e pashë Mattia-n ishte i mrekullueshëm në stërvitje. U ndjeva i lodhur dhe e dija se do të bënte dy pritje të shkëlqyera në minutën e 94-të. Po bëj shaka, ata qëlluan drejt në të! E përgëzova, ai është një njeri me një zemër prej ari, shkojmë mirë”.

“Është keq që Carlo (Pinsoglio, portieri i tretë i Juventusit) nuk hyri, do të kishim një het-trik me pritje të shkëlqyera. Mattia është më i mirë në komunikim me ekipin”, ka thënë Szczesny. /Telegrafi/