Portieri i Çekisë, Tomas Vaclik, ka thënë se për ekipin e tij do të jetë vendimtare që të menaxhojnë mendërisht ndeshjen kualifikuese të së enjtes ndaj Kosovës për të kaluar në Kampionatin Evropian.
Pas fitores ndaj Anglisë në tetor me rezultat 2-1, atmosfera te çekët përshkruhet si e mirë.
Çekët kanë një epërsi me një pikë ndaj Kosovës dhe janë në vendin e dytë.
“Pritjet do të jenë të mëdha, natyrisht. Kur ne ishim në gjendje ta mposhtnim Anglinë, të gjithë llogaritin se ne mund ta mposhtim ose duhet ta mposhtim Kosovën”, ka thënë fillimisht Vaclik para gazetarëve.
“Ata e dinë që e kanë ndeshjen e fundit në shtëpi me Anglinë. Ne do të shkojmë në Bullgari. Anglia do të shkojë në Kosovë e kualifikuar”.
Përveç avancimit, çekët do të duan gjithashtu të zhbëjnë edhe rezultatin e ndeshjes së parë, ku Kosova fitoi 2-1.
“Unë besoj se ndeshja nga ana jonë do të jetë më e mirë. Të gjithë e kuptuam që kritika pas ndeshjes ishte e duhur. Në me disa gjëra u pajtuam, në disa kishim një këndvështrim tjetër me ato që shkruan” .
“Unë besoj që kësaj radhe do të jetë shumë më mirë dhe se ditën e enjte do të tregojmë që meritojmë të jemi në EURO 2020 dhe jo Kosova”, ka thënë Vaclik.
“Ne e dimë që kosovarët kanë individualistë të mirë. Kanë edhe dobësi që mund të përdoren. Unë besoj se ne kemi cilësi të përfitojmë nga dobësitë e tyre”, ka thënë ish-portieri i Spartas dhe i Baselit. /Telegrafi/