Site icon Telegrafi

Portieri i Arsenalit detyrohet ta fshijë llogarinë në Twitter pas fyerjes që pranoi nga tifozët e The Gunners

Portieri i Arsenalit, Alex Runarsson është detyruar të fshijë llogarinë e tij në Twitter, pas fyerjeve që pranoi nga tifozët e The Gunners në eliminimin që pësuan nga Manchester City në EFL Cup.

Gardiani i talentuar ishte përzgjedhur nga Mikel Arteta që të ishte në portë ndaj Citizens, mirëop bëri disa gabime në takimin që përfundoi 4-1.

Alexandre Lacazette i barazoi shifrat në 1-1, por që Runarsson gaboi në golin e parë të realizuar nga Citizens, me anë të Gabriel Jesusit.

Më pas, 25-vjeçari gaboi edhe në goditjen e dobët të Riyad Mahrezit, duke lënë topin që t’i rrëshqiste nga duart për rezultatin 2-1.

Skuadra që drejtohet nga Pep Guardiola e fitoi duelin 4-1, e pas ndeshjes pasuan edhe fyerjet ndaj portierit nga tifozët e Arsenalit.

Runarsson ishte i detyruar që të deaktivizonte llogarinë në Twitter, pasi tifozët e Topçinjve nuk ndaluan me fyerje ndaj pritjeve të tij. /Telegrafi/

Exit mobile version