Telegrafi

Portieri 16 vjeçar që u godit nga rrufeja, i gatshëm të luajë: Nuk mbaj mend asgjë nga momenti që dola nga shtëpia

(Foto: TV Aist/FC Znamya Truda/Lucy/Instagram)

Ivan Zaborsky ka shpëtuar për mrekulli, pasi u godit nga rrufeja para tri javësh në fushën stërvitore të FC Znamya Truda, në Orekhovo-Zuevo në afërsi të Moskës.

Xhirimet e frikshme e kishin shfaqur portierin që po stërvitej ndaras nga bashkëlojtarët në momentin e goditjes nga rrufeja teksa po vraponte drejt topit në afërsi të zonës së gjashtëmbëdhjetëmetërshit.

Pas ndihmës së parë që i është dhënë në fushë, ai ishte dërguar me urgjencë në spital pa vetëdije dhe pastaj është dërguar me helikopter në një klinikë të Moskës, ku ishte vënë në koma të induktuar për shkak të dhimbjeve dhe në koma ka qëndruar për tri ditë.

Dhe tash kur kanë kaluar më pak se tri javë, Zaborsky është në gjendje të mirë shëndetësore, ashtu që ka nënshkruar kontratë të re me klubin që luan në ligën e tretë ruse, FC Znamya Truda dhe është i gatshëm të luajë sërish.

Lexo po ashtu Momenti tmerrues kur futbollisti 16-vjeçar goditet nga rrufeja, Ivan Zaborsky po lufton për jetën
(Foto: TV Aist/FC Znamya Truda)

Është bërë e ditur se 16-vjeçari nuk kishte marrë frymë për dy minuta, ashtu që i është bërë masazh i zemrës dhe frymëmarrje artificiale duke bërë që të shpëtojë mrekullisht.

“Ndihem shumë mirë tash. Nuk më dhemb asgjë. Nuk mbaj mend asgjë duke filluar nga momenti i nisjes nga shtëpia për të shkuar në stërvitje. Mu kthye vetëdija kur isha në spital”, ka rrëfyer djaloshi. /Telegrafi/