Portieri i Olimpik Donetsk në kampionatin e Ukrainës, Betim Halimi ka marrë ftesë nga Përfaqësuesja e Kosovës për ndeshjet e muajit mars.
Ka qenë vetë klubi ukrainas që e ka zyrtarizuar ftesën nga Kosova për Halimin të martën në faqen zyrtare.
“Portieri kosovar i Olimpik Donetskut, Betim Halimi ka marrë thirrje për të qenë pjesë e ekipit të vendit të tij”, shkruan klubi.
Бетим Альими получил вызов в национальную сборную Косовоhttps://t.co/yL54PYZ8VY pic.twitter.com/H5EbTbcSUT
— СF Olympic (@fcolympic_don) March 9, 2021
Kosova në mars do t’i zhvillojë tri ndeshje, miqësoren kundër Lituanisë më 24 mars, ndërsa më 28 mars ndaj Suedisë në Prishtinë e luan ndeshjen e parë kualifikuese për kampionatin botëror “Katari 2022”. Më 31 mars, Kosova luan ndaj Spanjës në Sevilla.
Vetëm portieri është shfaqur i lumtur me ftesën edhe pse e ka pritur që do të vijë.
“Edhe pse e kam pritur ftesë, të them të drejtën jam befasuar dhe emocionuar. Tash më duhet të punoj edhe më shumë. Për ndeshjen e parë me Lituaninë nuk e di a do të kem hapësirë apo jo, ajo është zgjedhje e trajnerit”, ka thënë Halimi për Indeksonline.
Halimi kishte ftesë në janar të vitit të shkuar për ndeshjen me Suedinë B, por një lëndim ia pamundësoi ardhjen. /Telegrafi/