Portier i Ballkanit, Stivi Frashëri, ka folur me kokën lart në fund të takimit të humbur përballë Slavia Pragës, që shuan çdo shpresë për t’u kualifikuar tutje.
Ai fillimisht foli për kualitetin e kundërshtarit, duke thënë se e kanë përballur mirë.
“Të themi të drejtën, Slavia ishte kundërshtari më i fortë i grupit. Me dy rivalët e tjetër jemi përballur më mirë, i kemi marrë pikë, por me Slavian e kishim më të vështirë, sepse ata janë të fortë fizikisht dhe shumë të mirë teknikisht, na e bënë më të vështirë”, deklaroi ai.
Tutje, Frashëri theksoi se Ballkani vetëm ka fituar nga kjo përvojë, ndërsa shtoi se asnjë klub shqiptarë nuk do të mund të bënte më mirë.
“Të jemi realistë, besoj që Ballkani vetëm ka fituar edhe në ndeshjet që i kemi humbur. Kemi fituar përvojë”.
“Asnjë ekip i vendin tonë, në Kosovë apo Shqipëri, nuk do të mund të arrinte më shumë. Shpresoj që t’i kemi bërë krenarë të gjithë shqiptarët, në fund të fundit, jemi një vend i vogël dhe kaq janë mundësitë”, përfundoi Frashëri. /Telegrafi/