Kompania holandeze “Royal HaskoningDHV” ka publikuar sot detaje mbi projektin për ndërtimin e Portit të ri të Durrësit në Porto Romano, i integruar me projektin e hekurudhës Durrës-Prishtinë dhe portin e thatë në Prishtinë, që përveç rritjes së bashkëpunimit mes dy vendeve pritet të kthejë Durrësin në një nga portat strategjike të ekonomisë së Mesdheut.
Pas prezantimit që kompania u ka bërë qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës në muajin qershor në mbledhjen e përbashkët qeveritare që u zhvillua në Prishtinë, kompania ka reaguar në Twitter duke treguar detaje rreth përfitimeve ekonomike por dhe rritjen e kapaciteteve të portit.
”Planet për portin e ri të Durrësit në Porto Romano në Shqipëri kanë kaluar në fazën tjetër pas një prezantimi në qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës”, shkruan kompania në Twitter.
Planet e Royal HaskoningDHV dhe partnerit lokal Abkons zbulojnë një transformim ambicioz të infrastrukturës detare në Shqipëri dhe transportit shumë funksional në Ballkanin Perëndimor.
Godinë për kargo portuale e rangut botëror
Planet janë që funksionet industriale të Portit ekzistues të Durrësit të zhvendosen jashtë qytetit në një vendndodhje të re në Porto Romano, nëntë kilometra në veri. Konsolidimi i aktivitetit industrial do të ketë një ndikim të madh në lidhjen tregtare, efikasitetin dhe konkurrencën, duke ndihmuar në krijimin e një objekti ngarkesash të rangut botëror që do të përmirësojë tregtinë në të gjithë rajonin.
Porti i ri do të përdorë teknologjitë më të fundit të Porteve të Gjelbërta dhe do të ndërlidhet me rrjetin hekurudhor dhe infrastrukturën rrugore. Kjo do të lehtësonte lidhjen me objektin e planifikuar të portit të thatë në Kosovë me efikasitet dhe qëndrueshmëri, duke krijuar kështu një qendër tregtare për pjesën tjetër të shteteve të Ballkanit.
Përfitimet ekonomike
Pas diskutimeve të shumta, planet tani përfshijnë edhe një terminal të transportit të brendshëm në Prishtinë, i cili siguron që i gjithë Ballkanit të gëzojë përfitimet ekonomike, që vijnë nga ndërtimi i portit të ri. Plani po ashtu përfshin rindërtimin e portit aktual të Durrësit duke e shndërruar në një port tregtar turistik, duke përmirësuar cilësinë dhe standardin e jetesës për banorët e këtij qyteti detar.
Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë tha: “Isha i kënaqur që pashë planet e para për portin e ri në Porto Romano. Kjo është një mundësi fantastike për të vendosur një standard të ri në planifikim dhe ndërlidhjen. Skema lejon të gjithë rajonin të përfitojë nga rritja e tregtisë, mundësive dhe përmirësimit mjedisor. Ndjej se jemi në duar të sigurta me Royal HaskoningDHV dhe mezi pres fazën tjetër.”
Eriku më tej: “Përveçse do të sjellë mundësi punësimi në zonë, centralizimi i elementëve industrialë do të vendosë standarde të reja në Shqipëri. Ajo do të hapë rrugën për një strategji më koherente zhvillimi dhe do të sigurojë që vija bregdetare mahnitëse e vendit të ruhet për të mirën e banorëve dhe për të rritur aktivitetet turistike.”
Planet iu prezantuan kryeministrit shqiptar, Edi Rama, në qershor. Më pas ato u ndanë me qeverinë e gjerë shqiptare bashkuar edhe me atë të Kosovës në një takim në Prishtinë. Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama do të vizitojë tani Hagën për diskutime me Kryeministrin e Holandës, Mark Rutte dhe bizneset holandeze, përfshirë Royal HaskoningDHV, më 4 korrik. Kjo vizitë synon të thellojë agjendën e bashkëpunimit dypalësh politik dhe ekonomik.
Royal HaskoningDHV po punon ngushtë me ekipin e projektit të Autoritetit të Portit Durrës dhe partnerin lokal Abkons, i cili është një ofrues kryesor i shërbimeve inxhinierike, të zhvillimit dhe të konsulencës në rajon. Pas përfundimit të fazës së këtij plani madhor, ekipi tani do të përparojë në projektimin e detajuar të fazës së parë të zhvillimit të Porto Romanos.
Redi Basha, CEO i Abkons: “Ndikimi ekonomik dhe social që sjell porti i ri në Porto Romano në Shqipëri, na ka dhënë një lloj përgjegjësie të veçantë. Porti do të jetë një portë për në Ballkanin Perëndimor dhe kjo na bën krenarë, sepse korrespondon me misionin e Abkons për të mundësuar projekte të mëdha ndërkombëtare me ndikim të rëndësishëm ekonomik për rajonin. Ne jemi plotësisht të përkushtuar për ta ofruar këtë projekt sipas standardeve më të larta ndërkombëtare. Ndarja e këtij angazhimi me Royal HaskoningDHV e ka bërë këtë sipërmarrje edhe më të dobishme. Ndihemi të kënaqur që po punojmë së bashku për zhvillimin e portit të parë modern në vend.”
Parashikohet që veprimtaria e portit të fillojnë në vitin 2025. /Telegrafi/
Plans for the new @DurresPort at Porto Romano in Albania have reached the next phase following a presentation to the governments of Albania and Kosovo. Read how with local partner @abkonsco we will deliver a positive impact on the economy of the Balkans https://t.co/l36HPuqePn pic.twitter.com/B2R0q0D4fO
— Royal HaskoningDHV (@RHDHV) July 4, 2022