Telegrafi

Porti i jahteve në Durrës, fiton oferta 9.6 milionë euro

Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, ka zhvilluar tenderin për "Dhënien me Koncesion të Portit të Jahteve në Gjirin e Lalëzit", Kepi i Rodonit, Durrës.

Burime zyrtare pranë ministrisë bëjnë me dije se, për këtë projekt koncesionar, u paraqit vetëm një ofertues në formën e një bashkimi të tri shoqërive. Projekti është iniciuar nga shoqëria "Ener-Alb Projects", duke përfituar, sipas ligjit të koncesioneve dhe bonusin prej 8.2 për qind të pikëve.

"Oferta e dorëzuar do të vlerësohet bazuar në kriteret e përzgjedhura të përcaktuara në dokumentacionin standard të kësaj procedure, të njohur nga subjekti konkurrues, sqaron Ministria e Transporteve. Porti i jahteve në gjirin e Lalëzit bëhet i dyti në rang vendi, pasi atij të Orikumit në Vlorë.

Komisioni i Vlerësimit të Ofertave do të përfundojë vlerësimin e ofertës së paraqitur brenda afateve dhe autoriteti do të ndjekë procedurat e parashikuara konform ligjit në fuqi. Për këtë projekt, të tri shoqëritë së bashku kanë ofruar një vlerë investimi prej 9,6 milionë euro ose 1,257,696,000 lekë.

Zona ku do të ndërtohet porti vlerësohet shumë për nxitjen e turizmit, nisur dhe nga fakti se sapo ka përfunduar dhe rruga që të çon në plazhin e gjirit të Lalëzit. Ideja për ndërtimin e portit të jahteve në një zonë në afërsi të Durrësit, si dhe zhvillimi i disa fshatrave turistikë ka rritur dyfish çmimin e tokës në plazhin e shtrirë në gjirin e Lalëzit. Sipas të dhënave nga agjentët, çmimet e trojeve aty luhaten nga 100-200 euro për metër katror, nga 50 euro për metër katror që ishte çmimi minimal në këtë zonë vetëm pak muaj më parë.

Koncesioni për të ndërtuar dhe përdorur portin e jahteve do të ketë një afat prej 32 vjetësh. Porti parashikohet të jetë gati pas më pak se tre vjetësh, ndërsa për ankorimin e anijeve tarifat variojnë nga 2 deri në 250 dollarë për metër linear.