Telegrafi

Portali i televizionit publik publikon lajme për komunitetet tjera jo shumicë

Në kuadër të reformave që janë ndërmarrë dhe po vazhdojnë në njësinë e Mediave Online në Radiotelevizionin e Kosovës, pas një periudhe pothuajse tetë vjeçare, RTK ka filluar me publikimin e lajmeve të komuniteteve jo shumicë në gjuhën boshnjake, turke dhe rome, në platformën online të RTK-së.

Kjo nismë është bërë në përputhje me kërkesat e Bordit për të zbatuar Ligjin për RTK-në,  i cili e obligon RTK-në për realizimin e të drejtave kushtetuese të komunitetit serb dhe komuniteteve tjera jo shumicë në lidhje me ofrimin e informimit publik dhe shpërndarjen e përmbajtjes se ofruar nga transmetuesi publik.

RTK-ja ishte kritikuar në Raportin për Kosovën nga Komisioni Evropian, të publikuar në vitin 2021, për mungesë të konsistencës në programet e gjuhëve jo-shumicë dhe praninë e dobët të RTK-së në internet.

Prandaj edhe ky angazhim është vazhdimësi e punës për ta përmirësuar situatën dhe funksionimin sa më të mirë të transmetuesit publik të Kosovës.

RTK  thotë se do të mbetet e përkushtuar për të përmbushur misionin e saj në informimin, edukimin dhe argëtimin për të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim etnie në përputhje me Ligjin për RTK-në dhe Kushtetutën e Kosovës.