Site icon Telegrafi

Porta që mërdhinë shqiptarët

Viti 2012 filloi me përurimin e mundit të vitit 2011. Ky vit shihet se do të jetë korrje e vitit që lamë pas dhe ngadhënjim i atyre që u zemëruan në stinën e hedhjes së këtyre farërave, të cilët sot me krekosje po i buzëgjeshin zemërimit tonë, zanafilla e së cilës ka filluar të pëshpëritet si e mërzitshme edhe në zemrat e ndërkombëtarëve. Edhe të huajt, tashmë pasi janë duke e parë sheshit farën e bimës së keqe, – siç do të thoshte Kim Mehmeti, nëpër mediumet dhe institutet e tyre kanë vënë alarmin për një gëlim që vetëm udhëheqësit në zgrip të çmendurisë mund ta bëjnë, madje edhe si krekacor të mërzitshëm, të pandehin se kanë bërë diçka madhore, që në logjikën ekonomike njihet si investim që largon dhe dëbon vrullshëm investitorët e huaj, duke i plandosur në dëshpërim edhe sipërmarrësit vendor, të cilët janë shumë të pakënaqur që tatimet në fitim dhe kontributet tjera, në vend se të mblidhen dhe të investohen për rregullimin e trotuarëve, ato investohen në projekte që lartësojnë të kaluarën duke zymtësuar edhe më tej zallahinë e sotme.

Gjithnjë e më tepër mua më krijohet përshtypja se kjo portë triumfale pa fitues dhe vetëm me humbës, do të mbetet objekti dhe vrima e vetme, përmes së cilës Maqedonia do të pështjellohet në nyjën e fatkeqësisë së vetë, në reflektimin e së cilës do të shkapërderdh gjithçka të panyjëzuar. Përmes harkut të kësaj porte, si një kala prej rëre, do të shohim seç shembet mendësia e këtij shteti. Duke tentuar që qeveria e shekullit 21 t’i imitojë botëkuptimet dhe veprimet e shteteve të shekullit 18 dhe 19, ajo do të futet në një batak historik, ku domosdoshmërisht vendi do t’i kthehet shekullit 17 me qëllim tatëpjetën e mëtutjeshme, ku me vegla primitive nëpër arat tona me rendiment shumë të ulët, do të habitemi kur sipër neve fërfëllueshëm të kalojë ndonjë aeroplan. Në këtë drejtim të padrejtë është duke shkuar Maqedonia, pra në kërkim të rrënjëve të vjetra, duke ikur prej përgjegjësisë së trungut dhe frutave të pemës së sotme, rrënjët e së cilës është shumë vështirë të identifikohet, ngase janë shumë thellë dhe nëpër shekuj janë përzier me rrënjëza të tjera, vështirësi që krijohet si rrjedhojë e paraqitjes së asaj që nuk është e jotja, sepse kombet tjera duke mos pretenduar atë që nuk i takon, që moti ishin shmangur prej këtyre ndërlikimeve të panevojshme.

Ashtu siç është e domosdoshme frymëmarrja e njeriut, ngrënia e pirja sot, njëlloj është i domosdoshëm edhe reagimi i atyre që historinë nuk e krijuan sot, por e përcollën gjeneratë pas gjenerate ashtu siç kishte rrodhur në të vërtetë. Nuk kemi arsyeje të izolohemi për hir të atyre që punojnë kundër neve dhe për inati të dëlirësisë së të kaluarës sonë. Kjo qeveri përmes kësaj porte me harqe të hapura ka për qëllim mërdhirjen tonë dhe zemërimin e përkrahësve tanë – ndërkombëtarëve. Nëse vazhdojmë të qëndrojmë të heshtur përballë kësaj zallahie qeveritare, atëherë integrimi shqiptar dhe ai evropian do të jetë vetëm një ëndërr e bukur pas një gjumi të shqetësuar. Do të ngelim peng i atij që na dëshiron si të tillë! Paratë tonë do të shkojnë në projekte që vrasin dëshirat tona të natyrshme, pra do të paguajmë për vrasjen e dëshirave tona të arsyeshme.

Vargani i projekteve famëkeqe do të jetë edhe kundërkushtetues, sa për atë se është kundërlogjike, edhe logjika më pak funksionale këtë tashmë e pohon. Kështu, sipas ekspertit të çështjeve juridike, Osman Kadriut, 32 relievet e portës “Maqedonia” janë kundërkushtetuese dhe flasin për pretendime territoriale të Maqedonisë, duke shkelur kështu amendamentet 1 dhe 2 të kushtetutës, pasi në këto relieve janë përfshirë pjesë të Maqedonisë së Egjeut, gjegjësisht Greqisë së sotshme, pjesë të Pirinit apo Bullgarisë dhe Prespës së Vogël që gjendet në Shqipëri. Pavarësisht kësaj, kryeministri me suitën e tij krenohet dhe falënderon me përbuzje të gjithë kundërshtarët, gjë që kjo i bie se të gjithë ata që ia duan të mirën rrugëtimit të këtij vendi janë kundërshtarë.

Këtë vështrim me plotë shqetësime, po e përmbylli me një koment të një gazete zvicerrane “20 minutes”, me shpresë se do të përfitojnë të gjithë ata që çështjet nuk duan t’i shohin me syrin provincial të kësaj qeverie.

Maqedonia kënaqet me një hark triumfal

Në Maqedoni arkat janë boshe, porse pavarësisht kësaj, presidentit të Maqedonisë kjo aspak nuk i intereson. Thuajse ai zbuloi Ujin e Bekuar, si dhe rishtare të tjera monumentale historike në Shkup. Madhështi të shumta vazhdojnë të përurohen në këtë shtet, pavarësisht arkës boshe: Me rreth 5.3 milion franga vetëm për harkun, çmim ky shumë i shtrenjtë, Maqedonia do ta kujton pavarësinë e vetë. Me 21 metra lartësi, porta “Maqedonia”, portë kjo me karakter klasik, të premten nga kryeministri Nikolla Gruevski u përurua në Shkup. Ai tha se porta “Maqedonisë” është një shenjë e triumfit për vendin, që 21 vjet më parë ishte bërë i pavarur. Monumenti është i shoqëruar nga një statujë e madhe në sheshin kryesor të Shkupit, pra aq sa ishte edhe jeta Aleksandrit të Madh.

Në përgjithësi, përskaj shumë projekteve tjera, tashmë edhe për këtë hark triumfal të stilit neoklasik në Shkup, arka u zbrazë edhe për 250 milionë franga. Opozita kritikoi ashpër, duke potencuar se ndërtesat janë humbje të parave. Maqedonia është një nga vendet më të varfra në Evropë me një normë papunësie prej 32 për qind.

Exit mobile version