Site icon Telegrafi

Porsche Carrera GT 2004 kushton 3.5 milion dollarë

Një model praktikisht i ri Carrera GT të Porsche, i cili ka përshkuar vetëm 44 kilometra edhe pse është prodhuar në vitin 2004, ka dal në shitje.

Porsche ka prodhuar Carrera GT për vetëm disa vite, dhe në fund vetëm 1270 njësi dolën nga linja e montimit. Vetura në foto është prodhuar në vitin 2004 si e 154-ta nga 1270 të përmendura.

Teknikisht është Carrera GT 18-vjeçare, por praktikisht është e re sepse ka kaluar vetëm 44 kilometra dhe është në sallon. Kushdo që lë mënjanë 3.5 milionë dollarë do të bëhet pronari i ri i saj.

Makina është e lyer me ngjyrë GT Silver Metallic, ndërsa pjesa e brendshme është e veshur me lëkurë terrakote. Duke pasur parasysh kilometrazhin e ulët, ndoshta është Carrera GT që ka ecur më pak në krahasim me të gjitha modelet ekzistuese.

Pronarët e mëparshëm nuk janë identifikuar, dhe makina është aktualisht në Florida.

Carrera GT fuqizohet nga një motor V10 atmosferik 5.7 litërsh i vendosur pas shoferit, i cili zhvillon 605 kuaj/fuqi dhe 599 Nm çift rrotullues.

Fuqia transmetohet në rrotat e pasme nëpërmjet një transmetimi manual me 6 shpejtësi. Falë përdorimit të fibrave të karbonit në ndërtimin e makinës, Carrera GT peshon rreth 1406 kg. Përshpejtimi nga 0 në 100 km/h zgjat më pak se 4 sekonda, ndërsa shpejtësia maksimale është 334 km/h. Kjo makinë përputhet me performancën e Enzo të Ferrarit dhe Mercedes-McLaren SLR. /Telegrafi/

Exit mobile version