Telegrafi

Porosia e Muharrem Sahitit për Adnan Januzajn dhe të tjerët

Muharrem Sahiti ndihmës trajner në përfaqësuesen e Kosovës, ka thënë se nuk do t’i bëjnë presion lojtarëve për të zgjedhur Kosovën derisa ka porositur që zgjedhjen ta bëjnë me zemër.

Duke folur për mungesën e Adnan Januzajt në përfaqësuesen e Belgjikës për Euro 2016, Sahiti ka thënë se ka kontakte me lojtarin e Manchester Unitedit, por ka bërë thirrje se nëse ai dhe të tjerët nuk e ndiejnë kënaqësinë shpirtërore për ta përfaqësuar Kosovën, nuk do të llogariten si përforcime.

“Nuk do t’i dëmtojmë përfaqësuese tjera por varet nga lojtarët që bëjnë zgjedhjen e tyre. Nuk do të kenë presione dhe nuk do t’i quajmë tradhtarë ata që nuk pranojnë. Uroj që të marrin vendimin e duhur dhe vendimin e drejtë. Momenti është që ata të kontribuojnë për Kosovën”, ka thënë Sahiti për KTV-në, transmeton Koha.net.

“Do të kemi kontakte me Januzajn, por nuk do të përdorim formën e inateve nëse nuk e ka ftuar Belgjika dhe tash si kundërshtim ndaj Belgjikës ai të luajë për Kosovën”, ka thënë Sahiti.

Nëse një lojtar nuk e ndien kënaqësinë shpirtërore për Kosovën nuk do të llogaritet si përforcim. Zgjedhjen ta bëjnë me zemër dhe jo sa për sy e faqe”.