Nga: Gjovalin Shkurtaj
Me rastin e 110-vjetorittë Pavarësisë së Shqipërisë (1912-2022), me dëshirën e mirë që ta shtojmë kujdesin për kulturën e gjuhës shqipe në të gjitha botimet me karakter zyrtar e publik dhe në praktikën shkrimore e kumtuese të administratës shtetërore, po ritheksoj një porosi të vyer e të rëndësishme të themeluesit të shtetit shqiptar, Ismail Qemalit.
Shteti dhe krejt shoqëria shqiptare duhet të tregojmë më shumë kujdes për gjuhën shqipe si tipar themelor i njësisë dhe i njësimit kulturor e kombëtar, për gjuhën zyrtare të shtetit e të shkollës, natyrisht edhe të të gjitha institucioneve që varen ose lejohen nga shteti. Të folurit dhe, sidomos, të shkruarit në gjuhën letrare kombëtare është sot shenjë e tregues kulture. Gjuha letrare është një synim i përhershëm i njeriut tonë, sidomos i të rinjve të shkolluar e të profilizuar thellë e ethshëm në shkencën, artin e dijet bashkëkohore, prandaj edhe përbën një dukuri reale e që nuk është as thjesht punë gjuhësie, as thjesht objekt kundrimi vetëm për gjuhëtarët.
Mbi të gjitha, kudo e kurdoherë, ka qenë dhe mbetet me vlerë kujdesi dhe kërkesa e rreptë e shtetit për zbatimin gjuhës zyrtare. Dhe kjo, sikundër e dimë të gjithë, nuk është një punë që shtrohet për herë të parë sot, por qysh në hapat e parë të shtetit shqiptar. Po përmend edhe një herë se këtu e 110 vjet më parë, në mbështetje të vlerësimit për pranimin e gjuhës shqipe si gjuhë të shtetit shqiptar nga qeveria e Ismail Qemalit, jepet pohimi dorëmbarë i këtij shtetari e diplomati të urtë:
Pas dëshirës dhe n’emën të Zotënies së tij, Kryetarit të qeverriës, botojmë këtë lajmim: Duhet të gjithë t’a dijnë mirë se, ç’ në ditën fatbardhë që kur Shqipëria dolli më vehte, gjuha shqipe u ba gjuha zyrtare e vendit. Tani, në ç’do degë t’administratës, n’a lipsen nëpunës të cilët t’a njohin mirë, me shkrim e këndim, gjuhën amtare…Edhe nëpunësit që ndodhen në shërbim do të japin provimnë gjuhën shqipe: ata që do të tregohen të zotët, do të konfirmohen në punën që kanë; ata që nuk do të dinë mirë gjuhën shqipe, do të munt të kërkojnë kohë që t’a mësojnë në qoftë se kanë dëshirë të mbeten në shërbim.
Pikërisht atë ide dorëmbarë e frymëgjatë të Ismail Qemalit kam pasur parasysh në reagimet e mia të kohëve të fundit të shprehura edhe në artikullin tim ”Shqetësime dhe propozime për kulturën e gjuhës së shtetit’ (Gazeta “Sot”, 20 nëntor,2013, f.17) dhe në librin “Kultura e gjuhës sot” (Botime Pegi,2022).
Mendova t’i ritheksoj këto vlerësime për gjuhën shqipe në administratën publike dhe, enkas, për kujdesin që duhet të tregojë ndaj saj shteti (në rastin tonë: shtetet) dhe institucionet në krejt hapësirat shqiptare ballkanike, pikërisht se shqipja e njësuar dhe e përbashkët (standardi) është përkrahur me entuziazëm edhe në Republikën e Kosovës, që ndonëse është ”shteti më i ri i Evropës”, për fatin e bardhë të popullit shqiptar, qysh nga viti 1968 me Konsultën e Prishtinës, pastaj me pjesëmarrjen e gjerë e të shënueshme të përfaqësuesve të intelektualëve të Kosovës në Kongresin e Drejtëshkrmit të Gjuhës Shqipe (1972) dhe në të gjitha konferencat shkencore madhore në përkujtim të atyre dy ngjarjeve të rëndësishme shkencore e kombëtare, zbatimi i shqipes së njësuar në të gjithë praktikën shkrimore e botuese edhe në Kosovën e kohës e të kushteve të atëhershme, ka qenë si të thuash “autostrada” e përbashkësisë shprehëse të dyja pjesëve të kombit shqiptar dhe, sivjet, në muajin nëntor, me rastin e përkujtimit të 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit, do të përmendet me gjithë poninë dhe nderimin që i takon togfjalëshi gordian “Një komb – një gjuhë letrare” të formuluar nga akademiku kosovar, i ndjeri dhe i shquari Ali Hadri, në artikullin e tij programatik të prillit 1968. Ai artikull dhe sidomos ajo ide e madhe e përbashkimit shpirtëror, kulturor e gjuhësor të shqiptarëve ka qenë dorëmbarë e frymëgjatë, prandaj edhe në mjediset e botimet shkencore të gjuhëtarëve është pohuar se “pa Konsultën e Prishtinës (prill 1968) nuk do ta kishim pasur Kongresin e Drejtshkrimit” (shih edhe Rexhep Qosja, Dëshmitar në kohë historike (1966-1974) Ditar, I, Botimet Toena, Tiranë, 2014, f.96-98).