Site icon Telegrafi

Populizmi përballë mirëqenies

Bill Emmott

Marine Le Pen, udhëheqësja e Frontit Nacional të ekstremit të djathtë në Francë, pretendon se beteja përcaktuese e shekullit të njëzetenjë do të jetë ajo mes patriotizmit dhe globalizmit. Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump duket se beson se kjo betejë do të jetë mes “medias me lajme shumë të rreme” dhe atij vetë, që mbështetet nga “populli” të cilin pretendon se përfaqëson. Që të dy e kanë gabim.

Beteja që në të vërtetë do të përcaktojë këtë shekull do të vë përballë të menduarit afatgjatë me të menduarin afatshkurtër. Politikanët dhe qeveritë që kanë objektiva afatgjata do të mposhtin ata që dështojnë – apo thjeshtë refuzojnë – të shohin përtej një cikli të vetëm elektoral.

Kina është e famshme për atë që supozohet se është të menduar afatgjatë, por ne nuk kemi nevojë të kthehemi në diktaturë për të testuar këtë argument. Disa demokraci Perëndimore kanë bërë gjithashtu punën e nevojshme për të menaxhuar forcat e fuqishme të globalizimit, teknologjisë dhe demografisë – dhe ata janë shpërblyer me ekonomi të qëndrueshme dhe sisteme politike në përgjithësi të pasfiduara nga populistët. Të tjera vende janë fiksuar pas të menduarit afatshkurtër dhe për rrjedhojë, kanë vuajtur shumë.

Për ta vënë në hartë këtë dallim, unë kam zhvilluar një tregues statistikor të përbërë të ri për organizatën bamirëse arsimore timen, Fondacionin Wake Up, të quajtur Indeksi Wake Up 20150. Ndryshe nga, fjala vjen, Indeksi Botëror i Konkurrueshmërisë i Forumit Ekonomik Botëror, Indeksi Wake Up 2050 (Zgjohu 2050) shikon përtej statistikave që mbulojnë ecurinë e shkuar dhe aktuale për të dalluar elementë mbi barrët që do të kenë vendet në të ardhmen dhe mundësitë se çfarë lloj produktiviteti do të kenë asetet kryesore të këtyre vendeve, veçanërisht aseti “njerëz”.

Bazuar në 25 masa, Indeksi Wake Up 2050 rendit 35 vende, më së shumti, anëtarë të zhvilluar të OECD sipas shkallës së përgatitjes së tyre në pesë fusha: demografia, shoqëria e ditur, inovacioni teknologjik, globalizimi dhe qëndrueshmëria përballë tronditjeve të papritura. Rezultatet janë domethënëse.

Zvicra është në krye të indeksit si vendi Perëndimor më i përgatitur ndaj tendencave dhe forcave të njohura që po formëzojnë shekullin e njëzet e një. Populistët në këtë vend janë një brigadë që kanë vetëm një argument – argumenti i tyre është imigrimi – dhe ata kanë shumë pak mbështetje sa nuk kanë shpresa të hyjnë në qeveri. Atë tërheqje që Partia Popullore e Zvicrës e ekstremit të djathtë, ka tërhequr deri tani është pasojë e faktit se migrantët e lindur jashtë Zvicrës tashmë përbëjnë një të katërtën e të gjithë popullsisë së vendit, nivel ky dy herë më i lartë se sa ai i Shteteve të Bashkuara apo Mbretërisë së Bashkuar.

Katër fqinjët e Zvicrës gjenden në pjesën e poshtme të indeksit – Gjermania në vend të 15, Austria në të 17-in, Franca në vend të 20 dhe Italia në vend të 23 – pavarësisht lidhjeve të tyre të ngushta kulturore, historike dhe tregtare me Zvicrën. Në Austri dhe Francë, partitë populiste euroskeptike kanë fituar mjaftueshëm mbështetje sa kanë mundësi reale për të kapur pushtetin, njësoj si në Itali me Lëvizjen Pesë Yjet. Edhe në Gjermani ndikimi i populistëve është në rritje.

Duke pasur parasysh reputacionin e Zvicrës si vend i pasur, i mirëarsimuar, novator dhe rezistent ndaj krizave, suksesi i këtij vendi në indeks mund të mos duket surprizë. Por nëse marrim parasysh se Zvicra ka nivelin e pagave ndër më të lartit në botë dhe që 19% e PBB-së së saj vjen nga manifaktura (e krahasuar me 12 për qind në SHBA dhe 10 për qind në Mbretërinë e Bashkuar), ky vend, në teori, mund të jetë shumë i rrezikuar nga konkurrenca kineze dhe nga automatizimi që eliminon vendet e punës. Megjithatë, Zvicra i ka kapërcyer me sukses këto probleme.

E njëjta gjë nuk mund të thuhet për Italinë. Megjithëse sektori i manifakturës është përgjegjës për 15% të PBB-së, pra më i ulët se sa në Zvicër, ky vend ka vuajtur shumë më tepër nga konkurrenca e Kinës. Arsyeja është e thjeshtë: Italia prodhon mallra më pak të sofistikuar dhe inovatore.

Kjo gjë reflekton një gabim të rëndë që Italia, krahas Francës, është duke bërë. Duke shpenzuar me tepri në skemën e pensioneve publike për të blerë votuesit në terma afatshkurtër, të dyja këto vende dhe qeveritë e tyre kanë pakësuar ndjeshëm aftësitë e tyre për të investuar në arsim dhe kërkim shkencor. Asnjë vend nuk mund të konkurrojë në mënyrë efikase në një ekonomi botërore që gjithnjë e më shumë po udhëhiqet nga dija dhe teknologjia, për sa kohë qeveria e këtij vendi nuk i kushton burimet e mjaftueshme rritjes së aftësive dhe kapaciteteve të forcës së vet punëtore.

Suksesi kërkon gjithashtu një mjedis rregullues dhe një kulturë korporative të tillë që mundëson qytetarët të përdorin në mënyrë produktive dituritë që ata kanë marrë. Në këtë kuptim, vendet me pjesëmarrje të ulët të grave në forcën e punës (si Italia) ose ku punëtorët më me eksperiencë, ata mbi 65 vjeç, nuk punojnë më, (si Italia dhe Franca) kanë një disavantazh të dukshëm.

Vlera e planifikimit afatgjatë është ndoshta më e dukshme në Japoni. Pavarësisht se janë një ekonomi e përparuar që përballen me plakjen më të shpejtë të popullsisë, Japonia ka rezultat të mirë në komponentin demografik të Indeksit Wake Up 2050. Një arsye madhore është se, duke paraprirë zhvendosjen demografike që pritet të ndodhë, Japonia ka mbajtur më shumë se 20 për qind të popullsisë së vet mbi 65 vjeç në forcën e punës, krahasuar me vetëm 2.9 për qind në Francë.

SHBA ka rezultat shumë më të keq nga sa hamendësohet si në inovacion ashtu edhe në ekonominë e dijes. Ecuria e keqe e shkollave të mesme dhe pjesëmarrje përgjithësisht e ulët e popullsisë në tregun e punës nënkupton që teknologjitë e përparuara që SHBA zhvillon, nuk përdoren në potencialin e tyre të plotë. Kjo është një arsye madhore se pse Trump u zgjodh president – dhe një shenjë e keqe për mirëqenien e Amerikës në të adhmen.

Që “Ta Bëjmë Amerikën të Madhe Sërish,” siç ka premtuar Trump, politikëbërësit duhet të mendojnë përtej ciklit aktual elektoral. E njëjta gjë vlen edhe për të gjitha demokracitë e tjera të Perëndimit. Megjithatë shumë kritikë kanë filluar të dyshojnë nëse politikëbërësit Perëndimorë janë ende të aftë për largpamësi të tillë. Por kritikët mund të provohen të gabuar. Imigrimi, një nga çështjet më të debatuara në politikën e sotme, është në themel një problem afatgjatë. Dhe ndërsa votuesit në SHBA kanë votuar kundër të qenit të hapur, Mbretëria e Bashkuar premton se do të mbetet e hapur pas Brexit me përjashtim të çështjes së imigrimit nga BE. Gjithkund tjetër, të qenit të hapur po mbrohet fort.

Në Francë, të qenit të hapur është beteja kryesore në zgjedhjet e ardhëshme. Le Pen, njësoj si Trump dhe Breksiterët, pretendojnë se hapja ka sjellë një katastrofë. Por dy rivalët kryesorë të Le Pen – centristi i pavarur Emmanuel Macron dhe republikani i krahut të djathtë François Fillon, që të dy argumentojnë në mbështetje të të qenit të hapur dhe të ruajtjes së tregut të lirë. Fituesi i kësaj beteje do të përcaktojë trajektoren, jo vetëm për Francën, por edhe për Europën në tërësi. Zvicra ka shumë arsye të jetë e nervozuar. /Project Syndicate/reporter.al/

Exit mobile version