Kastriot Islami
Është zhvilluar në një nga panelet e rëndësishme të Torontos, në Kanada, një debat shumë interesant “mbi lindjen dhe të ardhmen e populizmit në vendet perëndimore” në mes ish-këshilltarit të Trump-it, “populistit nacionalist” Steve Bannon dhe ish-shkruesit të fjalimeve të Xhorxh Bush, “konservatorit liberal” David Frum. Të dy republikanë, por njëri “populist” dhe tjetri “konservator”, por që ruan vlerat liberale. Një debat i ashpër, por shumë interesant dhe tepër civil. Një debat që demonstroi qartësisht se e ardhmja në vendet perëndimore i përket “populizmit kombëtar” dhe jo “liberalizmit socialist”. Një debat i mirëstrukturuar, ekstremisht i balancuar dhe i moderuar me inteligjencë e paanësi, që zgjati 1 orë e 36 minuta. Një debat konstruktiv dhe pa asnjë ofendim a sharje dhe plot tolerancë, që arriti në fund të tij t’i “ndryshojë opinionin të pranishmëve në sallë nga 28 % para debatit në favor të populizmit kombëtar në 53 % në favor të tij në fund të debatit”.
1. ÇFARË ËSHTË DEBATI MUNK?
MUNK-Debates apo Debatet-Munk është një platformë debatesh që zhvillohet gjatë një gjysmë viti në Toronto të Kanadasë. Ato janë të organizuara nga fondacioni Eurea, një fondacion bamirësie i ngritur nga Peter Munk, themelues i Korporatës Barrick Gold dhe gruaja e tij, Melanie Munk. Seria e debateve ka nisur në vitin 2008 nga Munk dhe moderatori i talentuar Ruyard Griffiths, që ka moderuar shumicën e debateve. Këto debate janë shumë popullore në Toronto dhe ndiqen nga një publik i gjerë, i cili mund t’i ndjekë ato edhe direkt në një sallë prej 500-700 vetash, përmes biletave që shiten lirisht për publikun. Para dhe pas debatit zhvillohet edhe një sondazh me pjesëmarrësit dhe fituesi i debatit konsiderohet ai që ka i bërë të mundur të ndryshojë më shumë opinionin e pjesëmarrësve në sallë. Debati jepet direkt në TV edhe nga BBC…
2. DEBATI 2 NËNTOR 2018, MES BANNON DHE FRUM…
Debati i datës 2 nëntor 2018 është zhvilluar mes Steve Bannon dhe David Frum për temën “Populizmi përballë Liberalizmit”. Një debat mes ish-këshilltarit populist të Trump-it, Steve Bannon, dhe konservatorit, ish-shkruesit të fjalimeve të Xhorxh Bush, David Frum. Një debat ku ishin grumbulluar rreth 500 vetë dhe që ka shkaktuar reagime të ashpra e të fuqishme të protestuesve, prezentë edhe në sallën e debatit, kryesisht mbështetës të lëvizjeve antiTrump, reagime që kanë çuar në 12 arrestime dhe 2 të plagosur. Është tentuar që ky debat të pengohet/prishet, por moderatori me shumë mençuri e qetësi e ka vazhduar atë deri në fund me argumentin se, “në një sistem të demokracisë liberale” duhet të dëgjohen edhe mendimet e kundërta, që disave paraprakisht mund t’iu duken të gabuara apo edhe deri të papranueshme.
3. JA SI BËHET SONDAZHI NË DEBATIN-MUNK….
Në këtë debat sondazhi bëhet përmes një pajisjeje të vogël elektronike të quajtur “clicker”, me ndihmën e së cilës pjesëmarrësit në sallë mund të votojnë për pyetjet e bëra nga moderatori, duke shtypur një buton me dy pozicione 1 (PRO) dhe 2 (Kundër). Pyetja e bërë në debatin e datës 2 nëntor 2018 ishte: A është populizmi e ardhmja në vendet perëndimore? Nga votimi në sallë, para fillimet të debatit 28 për qind e pjesëmarrësve mendonin se e ardhmja e politikës perëndimore është populizmi dhe jo liberalizmi, kurse 72 për qind ishin kundër kësaj tendence. Pjesëmarrësve, para debatit, u jepej mundësia t’i përgjigjeshin edhe një pyetjeje tjetër: A jeni gati të ndryshoni mendim pasi të keni ndjekur debatin? Nga votimi në sallë rezultoi se 57 për qind e pjesëmarrësve ishin gati të ndryshonin mendim, pasi të kishin dëgjuar debatin, duke treguar qartësisht se dëgjuesit nuk kishin ardhur në sallë thjesht si tifozë me mendime fikse, por kishin ardhur të dëgjonin me vëmendje argumentet PRO dhe KUNDËR idesë së përhapjes së “populizmit në vendet perëndimore”.
4. DEKLARATA E PARË E POPULISTIT BANNON…
Në një deklaratë prej 8 minutash, Bannon filloi i pari të shpalosë argumentet e tij, duke u shprehur që në fillim se “Çështja s’është nëse populizmi është në ngjitje apo e ardhmja i përket populizmit. Çështja është nëse populizmi në të ardhmen do të jetë socialist apo kombëtar (nacionalist)?” Sepse për Bannon, “liberalizmi aktual është thjesht populizëm socialist”. Moderatori, gjatë reagimit protestues së një grupi emigrantësh antiBannon bëri thirrje të respektohet mendimi alternativ dhe u kërkoi të gjithë atyre që s’do të ishin dakord me mendimet e Bannon të largoheshin nga salla, sepse shumica (57 për qind) në sallë ishin të interesuar për këtë temë, madje ishin shfaqur të gatshëm të ndërronin mendim në varësi se çfarë do të thuhej në këtë debat. Për Bannon, “të gjithë krizat aktuale në SHBA, por edhe në vendet e tjera perëndimore, që kanë prekur jetesën e qytetarëve gjatë 20 viteve të fundit, janë krijuar nga elita liberale financiare që nuk përfaqëson aspak interesat e qytetarëve të varfër dhe të mesëm, por interesat e një grupimi shumë të vogël pasanikësh. Lëvizja populiste s’i ka krijuar këto probleme, as të gjithë këto kriza që kanë prekur jetën e qytetarëve…Për më tepër, elita e pasur liberale që drejton dhe kontrollon botën ka sajuar forume elitare të mashtrimit, si për shembull Davosin në Zvicër, për të gënjyer qytetarët në vendet perëndimore dhe kështu është shkëputur nga klasa e mesme dhe nga të varfrit…” Bannon e përfundoi ndërhyrjen e tij të parë duke deklaruar se “… Kjo elitë drejtuese e botës perëndimore nuk është gjë tjetër veçse një elitë e korruptuar, që tenton të drejtojë botën duke harruar qytetarët e saj në çdo vend perëndimor…”.
5. DEKLARATA E KONSERVATORIT FRUM…
Debati vazhdoi me deklaratën prej 8 minutash të David Frum, një mbështetës i flaktë i filozofisë liberale dhe kritik i ashpër i populizmit të Trump-it, ndonëse është një konservator i djathtë, mbështetës i vendosur i Xhorxh Bush. Ai filloi deklaratën e tij duke thënë se “reagimi i protestuesve është shenjë e pasigurisë që ndiejnë qytetarët në të gjithë botën nga populizmi…” Ai shtoi se çështja sonte në këtë debat ka të bëjë me një nga sfidat më të mëdha që institucionet liberale demokratike iu duhet të përballojnë që nga rënia e komunizmit. Prandaj, sonte unë do të shpalos para jush tri objektiva:
– Së pari, do t’u drejtohem atyre që janë të pavendosur për t’u treguar se kjo që thotë Bannon s’u sjell asgjë të mirë qytetarëve, përveç frikë e urrejtje.
– Së dyti, duhet t’ju them se kjo që ka ndodhur kohët e fundit s’është sfida e parë me të cilën përballet demokracia liberale, por ka pasur edhe kriza të tjera, meqë drejtues mashtrues të qeverisjeve liberale kanë marrë peng demokracinë liberale, prandaj juve sot ju duhet të veproni njëlloj si prindërit e gjyshërit tuaj duke bërë të njëjtën gjë që kanë bërë ata, për të tejkaluar këto kriza, që nuk mund të zgjidhen përmes populizmit.
– Së treti, dhe më e rëndësishmja, është se shumë që mbështesin Trump-in, mbështesin idenë e tij se kjo e keqe që ka zënë qytetarët në perëndim mund të evitohet/ zgjidhet duke shembur sistemin aktual ose siç e ka thënë më formë metaforike Bannon, duke e djegur atë. Por unë ju them, se nëse kjo do të ndodhë edhe për shkak të mbështetjes suaj, atëherë do të jeni ju që do të vuani pasojat e saj dhe fëmijët tuaj do t’ju qortojnë e ndëshkojnë…”
Frum insistoi duke deklaruar se nuk është një “populist liberal”, por një “konservator” që kërkon të “konservojë(ruajë)” vetëm trashëgiminë liberale. Dhe qëndrimet e mia si konservator bazohen në 4 parime:
– jam kundër qeverisë që vjedh,
– jam kundër medias që gënjen,
– jam pro gjykatave që mbrojnë njëlloj të drejtat e të gjithëve;
– jam pro votimit për të gjithë dhe pro numërimit të saktë të votave, edhe të atyre që kanë frikë se vota e tyre mund të manipulohet”.
Dhe çfarë është populizmi sipas Frum: “Populizmi pretendon se flet për popullin, por në fakt tenton ta përçajë popullin, duke e ndarë atë në “këtë popull” dhe në “atë popull”, që në fakt tenton të ndajë vendin në “popull që është me mua” dhe “popull që s’është me mua”.. Populistët në fakt janë armiqtë e popullit…” Frum vazhdoi duke deklaruar se “Populizmi do të humbasë se është një mashtrim, një gënjeshtër, një rrenë.. Populistët, jo të gjithë janë hajdutë, por Trump është një hajdut, Orban është një hajdut, Marine Le Pen është një hajdute…” Frum pranoi se “Demokracia liberale është në krizë si edhe më parë në vitet ’30, krizë që mundësoi ardhjen në pushtet të fashizmit, por ndërkohë ai ka një këshillë për qytetarët e vendeve perëndimore: falimentimi i një sistemi s’është arsye për të përqafuar një sistem më djallëzor…Ne duhet të riparojmë dhe të rinojmë sistemin e demokracisë liberale dhe jo të përqafojmë populizmin.. Unë dhe Bannon, si republikanë e shikojmë krizën në të njëjtën mënyrë, por zgjidhjet i kemi diametralisht të ndryshme: Ai i shikon te shkatërrimi, kurse unë te rinovimi…”
6. REPLIKA E BANNONIT….
Përgjigjja më inteligjente e Bannon për kundërshtarin e tij Frum ishte: “Unë e vlerësoj konservatorin Frum për inteligjencën e zgjuarsinë e tij, për faktin se ai ndan me mua të njëjtin opinion për krizën aktuale dhe arsyet e krijimit të saj”. Dhe duke qeshur ai shtoi se “Prandaj unë kërkoj që t’i ndryshoj mendjen një personi inteligjent si Frum, që për më tepër është republikan si unë”. Bannon insistoi në kritikën abuzive që iu bëhet populistëve për lidhje me fashizmin, duke thënë qartas e prerë se “Ne populistët nuk jemi kundër votimit, por i dashurojmë votimet dhe duam të votohemi sepse jemi të bindur që kështu mund të fitojmë, prandaj jemi kundër fashizmit…” Ne si populistë kemi tri piketa themelore në programin tonë:
– kapitalizëm kombëtar
– Amerika e para përsa i përket sigurisë kombëtare
– dekontraktim të kontrollit të shtetit.
Bannon shtoi duke thënë se “Trump, për shembull, nuk është kundër NATO-s, por kërkon që NATO të mirëfunksionojë dhe po bën presion te vendet anëtare që NATO të funksionojë”… Nga ana tjetër, Bannon deklaroi se “nga takimet që kam pasur me liderët populistë të Europës s’kam dëgjuar asnjë prej tyre që të ketë kërkuar të shkatërrojë BE-në, por të gjithë kërkojnë dy gjëra:
– sovranitetin e vendit të tyre;
– dhe që qytetarët e vendeve të tyre të jenë në pushtet sepse ata s’duan të qeverisen nga institucionet transnacionale si Brukseli, që s’kanë asnjë përgjegjësi e kontroll nga qytetarët.
Qytetarët e vendeve eropiane s’duan ta bëjnë Bashkimin Europian si SHBA, por duan ta shndërrojnë atë në një bashkësi shtetesh sovrane që bashkëpunojnë mes tyre, kjo është e gjitha që ata kërkojnë…Sepse “shteti nacionalist apo shteti kombëtar është ai shtet që kërkojnë qytetarët, pra që pushteti të jetë në duart e qytetarëve të vendeve të tyre dhe jo të burokratëve të institucioneve që s’janë pranë tyre dhe që s’kontrollohet prej tyre, si për shembull institucionet e Brukselit… Bannon e mbylli replikën e tij duke thënë se “Ne jemi në SHBA në krizë se kemi socializëm për elitën e pasur dhe kapitalizëm të ashpër e të egër për të varfrit…”
7. PËRFUNDIM NGA DEBATI: 53 PËR QIND PRO POPULIZMIT NACIONALIST!
Në fund të debatit u bë e njëjta pyetje nga moderatori: Sa vetë mendojnë se e ardhmja në vendet perëndimore i përket populizmit nacionalist?” Votimi në sallë doli: 53 për qind mendojnë se kjo e ardhme i përket populizimit dhe 47 për qind mendojnë se i përket liberalizmit… Një ndryshim drastik, nga 28 për qind që ishte në fillim të debatit, kjo shifër arriti në 53 për qind në fund të një debati që zgjati vetëm 1 orë e 36 minuta. Pra, rreth 25 për qind e të pranishmëve në sallë kishin ndryshuar mendim vetëm nga ky debat mes populistit Bannon dhe konservatorit Frum. Pra, mund të thuhet se këtë debat e fitoi populisti Bannon që arriti të kthejë një minorancë prej 28 përqindësh në mbështetje të tij në një maxhorancë prej 53 përqindësh në favorin e tij.